Zvicra do të mbështesë projekt arsimor për të rritur punësueshmërinë në Maqedoni

Konfederata Zvicerane do të sigurojë mbështetje financiare dhe logjistike për zbatimin e projektit 10 vjeçar “Arsimi për punësim në Maqedoni”, që duhet të fillojë këtë vit dhe që ka për synim të rrisë nivelin e punësueshmërisë në vend.

Marketing

Zbatimi i këtij projektit ishte një nga temat kryesore të bisedës gjatë takimit të sotëm mes ministrit të Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi dhe zëvendësambasadorit të Zvicrës në Republikën e Maqedonisë, Stefan Tomaxhan. Të dy bashkëbiseduesit diskutuan më hollësisht lidhur me zbatimin dhe efektet e pritshme të projektit, i cili do të zbatohet në etapa, ndërsa faza e parë do të zgjasë deri në vitin 2022.

Ky Projekt do të zbatohet nga Helvetas Swiss Intercooperation, Qendra Maqedonase për Arsim Qytetar (QMAQ) dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe me të njëjtin do të përfshihen të rinjtë e papunë dhe personat me punësim jo adekuat të moshës deri 29 vjeçare, nxënës të arsimit profesional, duke pasur në konsideratë përfshirjen e grave, romëve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Qëllimet e projektit janë për drejtim të avancimit të arsimit profesional joformal dhe formal, si dhe të harmonizimit të legjislacionit në vend.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ademi ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e saj të deritanishme, duke shprehur kënaqësi të madhe që kjo mbështetje vazhdon në periudhën e ardhshme dhe që zgjerohet pikërisht përmes zbatimit të projekteve të këtij lloji.

Gjatë këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit trajtuan edhe shumë tema të tjera lidhur me aktivitetet dhe projektet e përbashkëta aktuale në sferën e arsimit dhe shkencës.

Zëvendësambasadori zviceran, Tomaxhan e ka uruar Ademin me rastin e marrjes së funksionit ministër dhe i ka konfirmuar qëllimet e sinqerta të Zvicrës për të ndihmuar vendin në përpjekjet e për të ndërtuar një sistem arsimor më të mirë dhe më cilësor, si dhe në përpjekjet për të reduktuar papunësinë, veçanërisht në mesin e popullsisë së re.

Marketing