Florent Hadërgjonaj ka bërë të ditur përmes llogarisë së tij në rrjetin social Instagram se Zvicra ia ka dhënë lejen që tash e tutje përfaqësojë Kosovën.
Më 9 maj të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës bëri të ditur se Florent Hadërgjonaj i është bashkuar skuadrës së Kosovës dhe do të luajë me fanellën e “Dardanëve” qysh nga ndeshjet e qershorit, shkruan Gazeta Express.
Tani, pesë ditë më vonë, vetë Hadërgjonaj ka konfirmuar se e ka marrë edhe lejen nga Zvicra për t’iu bashkuar Kosovës, përkundër që e kishte bërë një paraqitje zyrtare për ekipin e parë të kombëtares helvetike.
“Të dashur fansa. Pasi e kam shqyrtuar mirë, kam vendosur që të luaj me Kombëtaren e Kosovës. E falënderojë Zvicrën për mbështetjen që ma ka dhënë gjatë këtyre viteve dhe për lejen që më dhanë të luaj për Kosovën. Fat të mirë Kombëtares së Zvicrës në Portugali”, ishte mesazhi i Hadërgjonajt në Instagram, të cilin e shkroi në të tria gjuhët.
24-vjeçari ka qenë pjesë e Kombëtares së Zvicrës U-20 dhe U-21, si dhe e ka bërë një paraqitje edhe për Kombëtaren seniore helvetike, në një ndeshje miqësore, para se t’i bashkohej Kosovës.
Për t’iu bashkuar ekipit të Kosovës, Hadërgjonaj e ka marrë nënshtetësinë e Kosovës dhe tani është i gatshëm për ndeshjet e qershorit, me Malin e Zi dhe Bullgarinë. Që të dyja këto ndeshje do të zhvillohen si mysafirë.