Grubi -Zemaj: Kufijtë mes nesh duhet të hapen

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z.Artan Grubi sot në kabinetin e tij priti Ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, z.Armend Zemaj.

Marketing

Grubi dhe Zemaj diskutuan rreth gjendjes me epideminë e shkaktuar nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë si dhe për mundësitë më të mira dhe efikase të ballafaqimit me të.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Zemaj gjatë takimit nuk mbetën pa diskutuar edhe mbi rëndësinë e hapjes së pikave kufitare në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, vendim ky që do të ndihmonte ekonomitë e të dyja vendeve.

Grubi me këtë rast i tha Ministrit Zemaj se ai personalisht është për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare me qëllim qarkullimin e lirë edhe atë sipas modelit të shfrytëzuar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, përmes qarkullimit të lirë pa kërkim të testeve PCR.

Zëvendëskryeministri i parë z.Artan Grubi gjithashtu gjatë këtij takimi përcolli uratat e tij për marrëveshjen e arritur në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë dhe me këtë rast theksoi që institucionet e Kosovës mund të ndjekin shembullin e Maqedonisë së Veriut përkatësisht Marrëveshjes së Prespës ku u arrit marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë e cila na mundësoi anëtarësimin në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas Grubit vendimet e guximshme i sjellin vendit vetëm të mira dhe miq shumë.

Marketing