Drejtori i fondit për sigurim shëndetësor lavdërohet se gjatë 2018, janë pranuar të gjithë kërkesat e rregullta për mjekim jashtë shteti, por megjithatë njoftoi se buxheti i 2019 për këtë qëllim është zvogëluar. Den Donçev thotë se shumica e pacientëve të tjerë, gjetën mjekim brenda shtetit.
I pyetur nga gazetarët nëse ulja e buxhetit do të thotë më pak mundësi për mjekim jashtë shtetit për qytetarët, Donçev tha se buxheti fillestar i paraparë për mjekim jashtë shtetit, është 7,5 milion euro, dhe beson se do ti mbulojë të gjithë nevojat. Por, ai siguroi se nëse paraqiten raste shtesë, ekzistojnë para rezervë.
“E kemi zvogëluar buxhetin pasi që kemi ndarë para shtesë për klinikën për hematologji, për 14 pacientë. Po ti dërgonim jashtë siç ishte deri më tani, harxhimet do të ishin mbi 1,5 milion euro më tepër…Asnjë që ka bërë kërkesë të rregullt, me mendim konziliar, dhe që është në kuadër të ligjit, nuk është refuzuar. Buxheti është zvogëluar vetëm për ata pacientë të cilët i trajtojmë në institucionet shëndetësore të vendit. Mendoj se 7,5 milion euro janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat tona, duke gjykuar nga përvoja e kaluar” , deklaroi Den Donçev, drejtor i Fondit për sigurim shëndetësor.