Zyberi: Të bashkohemi për kryeministrin e parë shqiptar!

Fjalimi i kandidatit për kryeministër të parë shqiptar, Naser Zyberi:

Marketing

Bashkatdhetarët e mi, të dashur vëllezër dhe motra, të nderuar qytetarë,
Jam shumë i nderuar dhe i entuziazmuar që qëndroj para jush dhe para
qytetarëve të vendit tonësot si kandidati i parë shqiptar për
Kryeministër në historinë e këtij vendi.
Vetëm disa javë më parë, askush nuk do të guxonte të mendonte për një
Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Tani, i gjithë vendi po
flet për këtë dhe jo vetëm, po flet edhe rajoni dhe komuniteti
ndërkombëtar.
Më befasoi thirrja e z. Ali Ahmeti me ftesë për takim në zyrën e tij. Më
njoftoiqë që ishte konsultuar me shumë njerëz të respektuar të shoqërisë
civile dhe akademike dhe se emri im ishte ndër të propozuarit si
kandidat mbipartiak.
Sinqerisht, u befasova dhe natyrisht ,u ndjeva i vlerësuar. Për të qenë
plotësisht i sinqertë, mendova vet me vete se kjo jo vetëm që do të
ndryshonte jetën time por ishte gjithashtu një përgjegjësi mjaft e
madhe.
Një vendim jo i thjeshtë për t’u marrë, dhe jo shumë kohë për ta
menduar. Por,  çeliku kalitet në zjarr dhe individi vlerësohet për nga
vendimet që i merr për të mirën shoqërore përballë rehatisë individuale,
andaj dhe thash: PO.
Thash PO për tre arsye kryesore:
1)      PO, sepse unë besoj. Unë besoj në idenë e Kryeministrit të parë
shqiptar dhe besoj se nuk është vetëm një nder, por gjithashtu një
detyrë dhe një qëllim për t’i shërbyer kësaj ideje dhe për t’i shërbyer
komunitetit tonë shqiptar dhe vendit tonë. Unë besoj se së bashku mund
t’ia dalim.
2)      PO, sepse unë i kam kushtuar gjithë jetën time luftës për barazinë e
shqiptarëve dhe të qyyetarëve të tjerë, për ta bërë jetën më të mirë për
shqiptarët – si  anëtari parlamentit për Partinë e Prosperitetit
Demokratik, si Ministër për Punë dhe Politikë Sociale, si nënkryetar i
qeverisë, si avokat dhe gjatë viteve të kaluara edhe si kontribues në
mendimin publik politik. Unë pata nderin të kontribuoja edhe në
përpilimin e tekstittë marrëveshjes së Ohrit, që ishte fillimi i
rrugëtimit tonë drejt të drejtave të barabarta në një shoqëri të
barabartë.
Edhe edhe pse Marrëveshja e Ohrit është duke u zbatuar, gjuha jonë tani
është zyrtare dhe kemi bërë përparime të mëdha në shumë fusha të
shoqërisë sonë, ne ende nuk jemi plotësisht të barabartë. Ne përballemi
me disavantazhe në punë, në drejtësi dhe në jetën e përditshme. Ne akoma
nuk jemi të përfaqësuar në mënyrë të barabartë në administratë dhe në
pushtet. Eshtë koha për hapin përfundimtar, është koha për të shembur
muret e fundit që e ndajnë shoqërinë tonë në dy pjesë: maqedonas dhe jo
maqedonas. Eshtë koha për Kryeministrin e parë shqiptar.
3)      PO, sepse kjo ide është më e madhe se unë dhe çdo person. Eshtë më e
madhe se BDI dhe çdo parti. Unë nuk do të kisha pranuar të  isha
kandidat partiak. As për BDI dhe për ndonjë parti tjetër. Meqenëse
pavarësia ka qënë gjithnjë parimi im si kontribues politik, pavarësia do
të jetë parimi im si Kryeministër. Një Kryeministër nuk duhet t’i
shërbejë një partie. Ai duhet t’u shërbejë qytetarëve. Para se t’i jepja
z. Ahmeti përgjigjen time përfundimtare, e pyeta për këtë dhe ai ishte
më se i kënaqur me pyetjen. Kjo është ajo që ai e kishte në mendje
gjithashtu – një kandidat i pavarur që do të jetë Kryeministër për të
gjithë. Një kandidat që do të bashkojë të gjithë shqiptarët por akoma më
shumë , do të bashkojë  Maqedoninë e Veriut.
Këto janë arsyet pse ndjehem i gatshëm dhe përgjegjës të angazhohem për
këtë kauzë dhe të kandidoj për Kryeministër në emër të komunitetit
shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, jam mirënjohës për besimin dhe
gjithashtu guximin e gjithë juve. Asnjë parti tjetër në Maqedoninë e
Veriut nuk ka caktuar kurrë një kandidat të pavarur për këtë pozitë. Por
kërkoj edhe besimin e partive të tjera shqiptare dhe ua shtrij dorën e
bashkëpunimit, këtu, nga Prespa.
LSDM dhe VMRO tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre – ato janë të
bashkuar kundër një Kryeministri shqiptar. Tani është koha për t’u
bashkuar për partitë shqiptare. Jo kundër VMRO-së dhe LSDM-së, por për
një Kryeministër shqiptar!
Dhe personalisht  Z. Zaev dhe Z. Mickovski iu them: Ju nuk mund të
mohoni të drejtën e shqiptarëve për të pasur një Kryeministër. Ju nuk
jeni pronarët e vendit, por shërbyes të votuesve – dhe kjo përfshin edhe
shqiptarët!
Qytetarët shqiptarë, por edhe të gjithë qytetarët e tjerë të Maqedonisë
së Veriut, janë ata të cilëve u kërkoj besimin. Sepse si një
Kryeministër asnjë-anës, unë do të jem përgjegjës ndaj tyre dhe ndaj
shtetit. Bashkim për barazi!Kjo është ajo që na nevojitet. Së bashku, ne
mund t’ia dalim. Së bashku mund t’i bëjmë shqiptarët të barabartë në
Maqedoninë e Veriut.
Unë besoj në një shoqëri plotësisht të barabartë dhe besoj në bashkim.
Kur isha në politikë, ne shqiptarët kemi qenë të bashkuar për të drejtat
tona. Po, kishim dallimet tona, por kur u bë fjalë për një çështje
madhore, ne qëndruam së bashku dhe luftuam së bashku. Në politikë dhe në
luftë. Kështu fituam. Lufta jonë për barazi ishte më e madhe se
interesat e një partie. Ne nuk jemi më në luftë, por prapëseprapë
ndeshemi me sfida të përditshme. Dhe ne e dimë, se vetëm të bashkuar, ne
mund t’i kapërcejmë këto sfida.
Eshtë detyra jonë, të ndërtojmë një shoqëri për fëmijët tanë, ku ata të
mund të jetojnë në paqe dhe mirëqënie, ku ata të mund të realizojnë
ëndrrat e tyre, ku ata kanë shanse të barabarta.
Eshtë detyra jonë të ndërtojmë një vend, nga ku fëmijët tanë nuk kanë
nevojë të emigrojnë, sepse ata kanë të njëjtat mundësi , pse jo edhe më
të mira këtu, ku kanë lindur dhe ku kanë shtëpinë.
Eshtë detyra jonë të krijojmë një shoqëri mundësish, ku etnia nuk është
më një kufizim – pa marrë parasysh nëse je shqiptar, turk, boshnjak, rom
apo vllah, por është një pasuri. Kjo është ajo që synon mbi të gjitha
ideja e një Kryeministri Shqiptar . Një e ardhme më e mirë për të
gjithë, një shoqëri e barabartë dhe një sinjal për botën, që Maqedonia e
Veriut është e gatshme për Evropën, që ne guxojmë ta mbajmë historinë në
mendjet dhe zemrat tona , por për të ndërtuar një të ardhme së bashku !
Maqedonasit nuk duhet ta shohin barazinë si kërcënim. Askush nuk
dëshiron të marri asgjë prej tyre – përkundrazi, barazia do të na
shërbejë të gjithëve dhe ta çojë vendin tonë përpara. Unë dua të ftoj
madje të gjithë qytetarët e Maqedonisë, të cilët janë të ngopur nga
politika maqedonase, e cila në thelb është vetëm një luftë e përjetshme
mes dy partive kryesore, të bashkohen me idenë e një Kryeministri
asnjëanës, i cili do të vendosë interesat e partisë mënjanë dhe do t’i
shërbejë qytetarëve.
Sot, fillojmë udhëtimin në një epokë të re. Ne fillojmë me një ëndërr të
madhe për barazi, për shpresë. Ne fillojmë me ambicie të mëdha për të
ndryshuar të gjithë sistemin politik në Maqedoninë e Veriut, duke i
dhënë fund binomit të pushtetit, i cili e ka mbajtur vendin tonë të
mbërthyer në luftëra politike.
Vetëm disa javë më parë as nuk do të kisha menduar për një Kryeministër
Shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky pozicion ishte disi i rezervuar për
maqedonasit, madje edhe në mendjen tonë.
Por pse jo? Pse nuk duhet që Kryeministri të jetë shqiptar? Ne mund ta
realizojmë këtë . Sa më shumë njerëz të mund të entuziazmohen për këtë
ide, sa më shumë besojmë në të, aq më shumë ka mundësi të ndodh.
Arritjet e mëdha gjithmonë fillojnë me ëndrra të mëdha. Të bashkuar, ne
do ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend, ku të gjithë qytetarët janë të
barabartë, ku shqiptarët mund të arrijnë gjithçka.  Madje të bëhen
kryeministër.
Unë besoj! Unë guxoj të ëndërroj dhe realizoj ëndrrën!
Le ta realizojmë ëndrrën së bashku! Le ta shkruajmë historinë së
bashku!