Zyrtari amerikan: Vizita e Pompeos, mbështetje për rajonin

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi do ta vë theksin tek angazhimi i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe tek dëshira e Uashingtonit për zgjerimin e aleancës.

Marketing

Kështu i ka thënë Zërit të Amerikës, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, sipas të cilit, vizita do të ishte një sinjal mbështetës për Malin e Zi si vend i ri anëtar dhe për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim.

Megjithëse vizita nuk ka për synim bisedimet e Kosovës dhe Serbisë, zyrtari tha se emërimi i zëvendës ndihmës sekretarit të Shtetit Matthew Palmer, si i dërguar i posaçën për Balkanin, tregon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e problemeve në rajon.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbeten shumë të përqendruara në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është në anën strategjike i rëndësishëm për vizionin e bashkimit, lirisë dhe paqes të Evropës.

Më herët Departamenti amerikan i Shtetit, njoftoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të vizitojë Italinë, Vatikanin, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Vizitat janë planifikuar të zhvillohen ne periudhën nga data 1 deri më 6 tetor.

Në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, Pompeo do të zhvillojë takime me udhëheqësit e këtyre dy vendeve të Ballkanit.

Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, Pompeo do të vizitojë edhe një manastir në qytetin e Ohrit.

Ndërkaq në Itali, përveç takimeve me udhëheqësit shtetëror, Pompeo do të vizitojë edhe qytetin e Abruzzos, ku e kanë pasur shtëpinë paraardhësit e tij.

Në Vatikan, sekretari Pompeo do të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga SHBA-ja dhe Selia e Shenjtë, me organizatat religjioze.

“Pompeo do të ketë edhe një audiencë private me Papa Françeskun”, thuhet në njoftimin e departamentit të Shtetit.