Zbulimi më i madh i gazit natyror i Turqisë në Detin e Zi që u njoftua gjatë ditës së sotme do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin dhe ekonominë e vendit, tha kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Turqi.
Gjatë një vizite në provincën turke Karabuk në rajonin e Detit të Zi, Christian Berger tha se shpreson që këto burime të gazit të nxirren dhe të vihen në dispozicion për përdorim sa më shpejt të jetë e mundur.
“BE-ja gjithmonë dëshiron ta shohë Turqinë si një vend që është i qëndrueshëm, demokratik dhe i prosperuar”, tha Berger.
Për lidhjet midis Turqisë dhe BE-së, ai tha se gjatë mandatit të tij, i cili së shpejti do të përfundojë, marrëdhëniet kanë treguar sukses.
“Në vitin 2016, kur unë u caktova në Turqi, marrëdhëniet ishin në një pozitë të vështirë. Turqia kishte probleme serioze me disa shtete anëtare. Me kalimin e kohës, ne kemi bërë punë shumë të rëndësishme për t’i avancuar marrëdhëniet”, tha ai.
Berger deklaroi se kanë qenë në gjendje të krijojnë dialog në të gjitha fushat dhe të vazhdojnë të punojnë për disa çështje që duhet të zgjidhen.
“Shpresojmë që marrëdhëniet të avancojnë më tej”, shtoi ai.
Zbulimi i madh i gazit natyror i Turqisë në Detin e Zi pritet të luajë një rol kritik në uljen e kostos vjetore të importit të gazit prej 12 miliardë dollarësh, si dhe në ndryshimin e dinamikës së rajonit.
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e quajti gjetjen si “zbulimi më i madh i gazit” në historinë e Turqisë.