Zyrtari i lartë ushtarak i NATO-s në Kiev, bën thirrje për mbështetjen e aleatëve

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer tha gjatë një vizite në Kiev të enjten se aleatët e Ukrainës nuk duhet të jenë shumë pesimistë mbi kapacitetet e saj për të luftuar ndaj trupave ruse dhe njëherësh bëri thirrje që ndihma e nevojshme të dërgohet sa më parë.

Marketing

Amirali Bauer drejtoi vizitën e parë zyrtare në Kiev të një delegacioni ushtarak të NATO-s që prej agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Trupat e Kievit po përballen me mungesë municionesh.

“Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje. Dhe ju keni nevojë për këtë mbështetje tani. Koha në Ukrainë nuk matet me ditë, javë apo muaj. Ajo matet me jetë njerëzore. Në vendet aleate një javë është një javë. Në Ukrainë, një javë është humbja përgjithmonë e një nëne, një babai, një miku, një të dashuri,”, tha ai në Forumin e Sigurisë në Kiev.

Presidenti Volodymyr Zelensky, njoftoi se e kishte njohur zotin Bauer me nevojat më urgjente të Ukrainës për sa i përket furnizimit me armatime, municione dhe dronë.

Zelensky tha se ata diskutuan ndër të tjera mbi rolin e NATO-s në koordinimin e mbështetjes për Ukrainën.

Ukraina, tha Presidenti, shpreson për një vlerësim të arritjeve të Ukrainës në takimin e pritshëm të nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, që “do ta afrojë Ukrainën me anëtarësimin në Aleancë”.