Zyrtarizohet grupi parlamentar i VLEN-it, koordinator do të jetë Bekim Qoku

Sot në Kuvendin e RMV-së është zyrtarizuar grupi parlamentar i subjektit VLEN-n. Koordinatori Bekim Qoku tha se VLEN i numëron 9 deputetë ndërkohë që presin që ky numër të rritet, që siç tha, ditët në vijim do të shtohet edhe deputeti i 10 dhe 11.

Marketing

Qoku tha se me 10-të deputetë, janë Grupi Parlamentar më i madh në Kuvendin e RMV-së.

“Deputetët pjesëmarrës në këtë grup janë: Afrim Gashi, që njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit, Bekim Qoku, koordinator i grupit, Adnan Azizi, Merita Kolçi Koxhaxhiku, Imerlije Saliu Fetai, Saranda Imeri Stafai, Bekim Sali, Kaltrina Beqiri dhe Feride Haxhiu. Ne e kemi njoftuar kryetarin e Kuvendit me anëtarët e këtij grupi dhe kemi kërkuar që ky rikonfigurim i grupit parlamentar të reflektohet edhe në trupat punuese përkatëse parlamentare. Presim që ditëve në vijim ta përmbushim edhe këtë detyrim”.

“Po e shfrytëzoj këtë rast që t’ju drejtohem atyre 107 mijë votuesve që dhanë votën e tyre për koalicionin VLEN, se ne deputetët këtu vazhdojmë t’i mbeten besnikë marrëveshjes që e kemi bërë me ta më 8 maj 2024 dhe jemi konsistent e të palëkundur ndaj përcaktimeve programore dhe premtimeve elektorale me të cilat jemi mandatuar për të qenë përfaqësuesit e tyre dhe të popullit. Andaj, u bëjmë thirrjen më të sinqertë e të përzemërt edhe deputetëve të tjerë shqiptarë, veçmas kolegëve që janë mandatuar nën koalicionin VLEN, që në këto kohëra vendimtare për vendin t’i bashkohen këtij grupi për të çuar deri në fund amanetin e atyre qytetarëve që ua dhanë besimin dhe shpresën e tyre për këtë slogan “Ndryshimi VLEN”. Zëri i tyre nuk vlen kurrkund më shumë sesa këtu me ne së bashku”, tha Qoku.