20 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit shënohet edhe nga komuna e Çairit

Aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit
vazhduan sot me panel diskutimin “Decentralizimi fiskal” në Komunën e
Çairit që është njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.

Marketing

Pjesëmarrësit në këtë panel diskutimi, zëvendëskryeministri për çështje
ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri i financave Fatmir Besimi, ministri i
pushtetit lokal, Goran Milevski dhe kryetari i Komunës së Çairit Visar
Ganiu bashkërisht konstatuan progresin e arritur në Çair dhe në të
gjitha komunat tjera në shërbim të jetës cilësore të qytetarëve duke e
theksuar si sfidë të përbashkët të “Pas Ohrit” fuqizimin e kapaciteteve
lokale për efikasitet më të madh veprues dhe avancimin e procesit të
decentralizimit si njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.

“Zanafilla e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë dhe duhet të jetë për këto
tre gjëra, se si ti mundësojmë çdo qytetari e para të drejta të
barabarta, liri në aspektin shumë të gjërë dhe këtu lehtësisht mund ta
themi me katër liritë e Bashkimit Europian dhe e katërta se si tju
krijojmë një jetë më të dinjitetshme. Në vitin 2021 është momenti më i
fundit për të folur se jo a mund ta arrijmë decentralizimin total fiskal
për komunat, por cilat janë limitet maksimale që mund ti arrijmë sot, të
mundësojmë në 20 vjeçarin e ardhshëm që diskrepanca dhe dispariteti mes
komunave, por edhe rajoneve mes qytetarëve që jetojnë në ato rajone të
jetë sa më e vogël. Thelbi i decentralizimit është në thelb pavarësi në
veprim të komunave, shërbime më të mira për qytetarët dhe gjithsesi
satisfaksion më i lartë i qytetarëve nga shërbimet të cilat i marrin nga
ana e komunës. – deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike
Fatmir Bytyqi.
Ministri për Pushtet Lokal Goran Milevski elaboroi masat e ndërmarra nga
ana e Qeverisë për avancimin e decentralizimit institucional dhe fiskal
duke potencuar edhe masat e definuara në Programin për zhvillim stabil.

“Sot ne po diskutojmë për decentralizimin dhe mund të vlerësoj se kjo
është një fushë që është një nga më me sukses të implementuara me
Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Marrëveshja nënkuptonte përfundimin e
konfliktit, një angazhim serioz për paqen, stabilitetin, drejtësinë dhe
prosperitetin për të gjithë qytetarët, përmes demokracisë më të madhe në
shoqëri dhe qeverisjes së decentralizuar dhe zhvillimit të balancuar
rajonal. Praktikisht tek ne decentralizimi filloi në vitin 1997 kur u
pranua Koventa Europiane për vetëqeverisje lokale nga ana e Kuvendit,
por në thelb filloi të zbatohej pas Marrëveshja Kornizë dhe një nga
ligjet e para, pra ligji i parë i miratuar nga Kuvendi pas ndryshimeve
kushtetuese ishte praktikisht Ligji për Vetëqeverisjen Lokale në Janar
2002, i cili nisi këtë proces të decentralizimit. Në vitin 2004 u
miratuan Ligji për Organizimin Territorial, Ligji për Financimin e
njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Ligji për Qytetin e Shkupit dhe 40
ligje të tjera, të cilat mundësuan fillimin e bartjes reale të
kompetencave deri te komuna.

Ministri i Financave Fatmir Besimi në fjalimin e tij prezantoi planin e
Qeverisë për avancimin e procesit të decentralizimit.

“Komunat gjatë kësaj periudhe u pa nevoja, jo vetëm që të kenë më tepër
financa, kapacitete financiare por të kenë edhe më tepër autonomi
financiare. Karakteristikë e kësaj periudhe është se dominojnë
transferet në strukturën e buxhetin e Komunave dhe në periudhën që vjen
me avancimin e decentralizimit fiskal po i shikojmë disa aspekte të
decentralizimit të mëtutjeshëm, edhe atë kryesisht në 3 shtylla, rritja
e kapaciteteve financiare apo fiskale, rritja e disciplinës financiare
dhe rritja e transparencës në menaxhimin me financat e komunave. –
deklaroi Besimi.

Kryetari Ganiu falenderoi panelistët për pjesëmarrësit dhe theksoi
rëndësinë e avancimit të decentralizimit.

“Gjithmonë parashtrohet pyetja pse në fakt është kaq i nevojshëm
decentralizimi fiskal? Përgjigja do të ishte shumë e thjeshtë, sepse
transferohen kompetencat e pushtetit sa më afër qytetarët, shërbimet
bëhen më efikase, zhvillohet ekonomia, pra sa më të decentralizuar do të
jemi shumë edhe më të zhvilluar ekonomikisht do të jemi si komuna. Pse
do të ishte kaq i rëndësishëm decentralizimi fiskal.” – deklaroi Ganiu.

Ky panel diskutim dëshmoi përkrahjen e Qeverisë, vizionin dhe
gatishmërinë e përbashkët për avancimin e procesit të decentralizimit si
njëra nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit.