Me kërkesë të MPB-së, mbyllet Grupi “Dhoma publike”

Grupi “Dhoma publike” në rrjetin social “Telegram”, nga mëngjesi i së mërkurës nuk ekziston më.Ai është fshirë nga kompania pronare e “Telegramit”, me seli në Britani të Madhe, pas kërkesës së dërguar gjatë fundjavës nga MPB. Policia ka identifikuar tashmë krijuesin e grupit me inicialet D. K. nga Shkupi dhe një nga administruesit me inicialet M. P. po nga Shkupi. Gjatë hetimit duhet të vërtetohen edhe personat tjerë që kanë pasur role administruese në grup.

Marketing

Nga MPB konfirmojnë se në këtë rast kanë një padi nga një prind, vajza adoleshente e të cilit ishte e përfshirë në grup. Edhe dy vajza të tjera kanë paraqitur në polici se fotot e tyre janë publikuar në grup pa lejen e tyre. Grupi ka muaj që ekziston. Fillimisht ai u formua në rrjetin social “Instagram”, më pas për shkak të shkeljes së rregullores së këtij rrjeti, u transferua në “Viber”, por edhe atje e bllokuan e pas kësaj përfundoi në rrjetin “Telegram” me emrin “Badjavxhinjtë”, i cili më pas u shndërrua në faqen “Dhoma publike”.

Në të, me muaj janë shpërndarë fotografi me klipe me përmbajtje pornografike, të vajzave të mitura nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e jashtme. Sipas MPB-së, numri i përgjithshëm i peronave të cilët një kohë kanë qenë anëtarë, ndërsa më pas janë tërhequr mbi 11 mijë. Në momentin e mbylljes, grupi numëronte 7400 anëtarë. MPB në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, do të bëjnë konsultime shtesë për të prezantuar dëshmitë që kanë në dispozicion. Nga MPB do të bëhen edhe analiza shtesë për përmbajtjet e publikuar në grup, me qëllim të vërtetimit të aktiviteteve joligjore të dënueshme sipas Kodit Penal.

Marketing