Emre Xhan ishte ëndrra e madhe dhe Emre Xhan u bë realitet.
Në pritje të zyrtarizimit, që pritet të vijë brenda mesit të këtij muaji, drejtuesit e Juventusit bënë një tjetër goditje të madhe me parametër zero, por duke i shtuar “bandës” bardhezi një copëz të rëndësishme, për të rindërtuar skuadrën që nga sezoni i ardhshëm do të synojë me çdo kusht Ligën e Kampioneve, shkruan Panorama.
Prandaj, në pritje që tifozët bardhezi ta njohin nga afër turko-gjermanin, është media italiane ajo që mundohet t’i bëjë një panoramë totale 24-vjeçarit.
MULTIFUNKSIONAL
Pseudonimi i thotë të gjitha: “punëtori multifunksional”. Ai ka “lindur” si një mesfushor qendre i tërhequr. Në Gjermani e shihnin si një miksim mes Shvajnshtaigerit, Krosit dhe Balakut, por ai mund të mbulojë çdo rol nga mesfusha e poshtë. Madje, shpeshherë ai është përdorur edhe si qendërmbrojtës për të shfrytëzuar këmbët e tij të kuruara, për të nisur aksionin, por kur i është dashur edhe si mbrojtës krahu. Edhe pse ka karakteristika difensive, ai di t’i bëjë mjaft mirë të dyja fazat, siç e tregojnë 14 golat dhe 12 asistet te Liverpuli.
KONKURRENCA
Nëse dikush di që mos ta vuajë konkurrencën, ai është pikërisht Emre Xhan. Duke nisur nga Bajerni, Leverkuseni e Liverpuli, ai e ka fituar vendin gjithmonë duke luftuar. Madje edhe në kombëtare nuk i është trembur kurrë edhe kampionëve si Kros, Ozil, Gyndogan e Gorecka, pasi në pak kohë ka grumbulluar 20 prezenca dhe një gol.
KLAUZOLA E RIBLERJES
Në vitin 2013, Bajerni e shiti te Leverkuseni, por duke vendosur një klauzolë riblerjeje për Xhanin, por vetë lojtari nuk ka shumë qejf që të kthehet aty ku nuk e vlerësojnë që në fillim dhe nuk pranoi që Bajerni të shfrytë- zonte klauzolën e riblerjes, ndaj në vitin 2014 vendosi që të pranojë dhe të kalojë te Liverpuli.
Xhan
ROVESHATA…
Në Liverpul, gjermani me origjinë turke, diti që të fitojë menjëherë “turmën” e kuqe, duke nisur që nga zgjedhja e numrit. 23 te Liverpuli ka një rëndësi të madhe, sepse me atë numër kanë luajtur ikona si Xhemi Karrager dhe Robi Fauler, prandaj duke i shtuar edhe paraqitjet e tij, Xhanit iu desh pak që të shndërrohej në një beniamin të “Kop”-es. Edhe pse në “Anfild Road” nuk fitoi asnjë trofe, ai diti që t’i dhurojë vetes një çmim personal, atë të golit më të bukur të sezonit 2016-2017, një roveshatë të çmendur kundër Uotfordit.
MYSLIMAN E MODEL
Aktiv në rrjetet sociale, por pa e ekzagjeruar, Emre Xhan ka një jetë private shumë të rezervuar. Aq sa nuk dihet nëse ai vazhdon të jetë ende i fejuar ose jo me Marina Katalejan.
Për të dihet që është një mysliman i devotshëm, por edhe një person i dashuruar pas modës (bashkëpunon me një markë mode për një koleksion të quajtur “Selected by Emre Can”, por në të njëjtën kohë edhe një aktivist i madh, për çështjet humanitare, sidomos për sa u përket refugjatëve.
Kundrejt Ozilit dhe Gyndoganit, ai nuk mori pjesë në takimin me Erdoganin, i cili krijoi shumë probleme për dy shokët e tij me origjinë turke. Shkurt, pak reflektorë të drejtuar nga ai, të paktën jashtë fushës…