Franca ka fituar 2-1 ndaj Australisë në një ndeshje ku për të dy golat e “Gjelave” u desh ndërhyrja e teknologjisë. Pas një pjese të parë 0-0, Griezmann fitoi një penallti që arbitri fillimisht nuk e akordoi. Më pas, e pa disa herë në monitor derisa vendosi që ndërhyrja e mbrojtësit australian duhej ndëshkuar me 11-metërsh dhe karton të verdhë.
Griezmann kaloi në avantazh Francën pasi shndërroi në gol penalltinë në minutën e 58. Por vetëm 4 minuta më vonë Umtiti i dhuroi penallti Australisë. Nga pika e bardhë barazoi rezultatin kapiteni Jedinak.
Vetëm klasi i Pogba i bashkuar me fatin bëri që Franca të shënonte golin e dytë, kur në minutën e 81 parabola e mesfushorit të Manchester United u përplas në traversë dhe kaloi për fare pak vijën fatale.
Edhe këtu ishte teknologjia që akordoi golin për francezët, që marrin tre pikë të vlefshme.