UT e përkujtoi jetën dhe veprën e Prof. Dr. Vullnet Palloshit

Në Universitetin e Tetovës sot u mbajt mbledhje komemorative për jetën dhe veprën e Prof. Dr. Vullnet Palloshit. Shumë familjarë, miq, kolegë, profesorë dhe studentë e përkujtuan për herë të fundit jetën dhe veprimtarinë e tij ndër vite.

Marketing

Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti të pranishmëve në këtë mbledhje komemorative me fjalë rasti iu drejtua Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Nderim Zeqiri. Ai në fjalën e tij tha se Prof. Dr. Vullnet Palloshi në vazhdimësi ka dhënë kontribut të çmuar në Universitetin tonë dhe në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara, sidomos në drejtimin infrastrukturë dhe rrugë.

“Kontributi i tij zgjerohet edhe jashtë kornizave të Universitetit tonë, sepse shpeshherë ka qenë edhe pjesë e konferencave dhe debateve të ndryshme në vende të tjera, në të cilat ka bërë vlerësime profesionale, rekomandime dhe gjithashtu ka qenë edhe pjesë e projekteve që lidhen me infrastrukturë dhe rrugë, ka realizuar botimin e artikujve të ndryshëm, librave, etj. Si profesor gjithmonë ka qenë konstruktiv, duke dhënë udhëzime dhe rekomandime” – tha Prof. Dr. Nderim Zeqiri.

Mbi jetën dhe veprën e Prof. Dr. Vullnet Palloshit foli miku dhe kolegu i tij Prof. Dr. Abdyl Koleci. Ai tha se veprimtaria e profesorit Vullnet Palloshi është e gjerë, e pasur dhe shumë rrezatuese në fushën e inxhinierisë, arsimit dhe kulturës. “Ai do të kujtohet me respekt për punën e palodhur në shumë ngjarje të rëndësishme.

Por, në këto çaste, kur ne ndajmë dhimbjen tonë, në gamën e jetës dhe veprës së tij, përkujtojmë veprat e tij madhore, në hapësirën e inxhinierisë si brenda Republikës së Maqedonisë ashtu dhe në Republikën e Kosovës e më gjerë, të cilat ai dhe kolegët tij i ngritën, i rritën dhe i zhvilluan në institucione të rëndësishme” – theksoi Prof. Dr. Abdyl Koleci.

Në emër të familjes Palloshi të pranishmëve në këtë mbledhje komemorative me fjalë rasti iu drejtua e bija e tij Vesa Palloshi – Buklla, e cila tha se profesori Vullnet Palloshi gjithmonë në kongrese e konferenca, vendore dhe ndërkombëtare, e lartësonte me mburrje e krenari emrin e Universitetit të Tetovës. “Jam e nderuar që kam mundësinë të flas në emër të familjes Palloshi e që të ndaj me ju ndjenjat më intime që një fëmijë mund t’i ketë për prindin e tij, në momentet më të vështira kur ai nuk gjendet më në mesin tonë.

Babai im, Prof. Dr. Vullnet Palloshi, si profesor që ligjëroi në këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, i dha mbështetjen e duhur qysh nga momentet e para të themelimit këtij institucioni, krenohej aq shumë sa që deri në momentet e fundit insistonte të jetë pranë studentëve të tij me qëllim që në maksimum të përcjellë njohuritë dhe përvojën e tij profesionale e që studentët në asnjë moment të mos e ndjejnë mungesën e tij kur ai të mos jetë më.” – u shpreh Vesa Palloshi – Buklla.

I ndjeri Prof. Dr. Vullnet Palloshi u lind më 9 tetor të vitit 1950. Ai është një ndër inxhinierët e parë shqiptarë në fushën e infrastrukturës rrugore në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në këtë fushë duke lënë vepra të mëdha pas tij. Ai nga viti 2006 ka punuar si profesor në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës. Prof. Dr. Vullnet Palloshi ndërroi jetë më 18 qershor 2018.