Kroacia kundër Anglisë në kërkim të lavdisë, formacionet e mundshme

Kroacia dhe Anglia do të ballafaqohen sonte në gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Botës në një ndeshje që zhvillohet në Moskë në orën 20:00.

Marketing

Franca është skuadra e parë finaliste e Kupës së Botës, ndërsa mbrëmjen e sotme do të përcaktohet edhe ekipi që do të diskutojë me “gjelat” triumfin në Rusi.

Kroacia dhe Anglia do të matin forcat në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, për të përcaktuar se cila skuadër do të kthehet në shtëpi dhe cila do të mbetet aty, për të luajtur në të njëjtin vend finalen e madhe ndaj Francës, më 15 Korrik.

Ballkanasit dominuan në grup, duke marrë pikët e plota dhe duke mposhtur bindshëm edhe Argjentinën me rezultatin e thellë 3-0. Më pas skuadra e Daliç eliminoi fillimisht Danimarkën në fazën e 1/8-ave dhe më pas vendin organizator, Rusinë në çerekfinale, të dyja të vendosura vetëm pas goditjes së 11-metërshave.

Hera e parë dhe e fundit kur Kroacia shkon kaq larg në një Kupë Bote, është “Francë ‘98”, kur ballkanasit mbërritën deri në gjysmëfinale, për t’u eliminuar pikërisht nga “gjelat, që triumfuan në fund.

Zlatko Daliç është i bindur te cilësia e grupit që ka në dispozicion dhe theksoi se të gjithë duan të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u bërë pjesë e historisë duke shkuar në finale dhe pse jo, duke triumfuar.

Nga ana tjetër Anglia njihet si vendi ku lindi ky sport, por që ka arritur të fitojë vetëm një herë Kupën e Botës, pikërisht më 1962-shin e largët. “Tre luanët” janë gjithmonë pretendentë për të triumfuar në kompeticione të tilla, por këtë herë janë më pranë se kurrë, rikthimit të Kupës së Botës, në shtëpinë e futbollit, shkruan SS.

Skuadra e Southgate ka treguar një pjekuri të pazakonshme për Anglinë, duke u treguar mjaft e kujdesshme në mbrojtje dhe duke u bazuar te forma mjaft e mirë e kapitenit Harry Kane, që ka shënuar plot 6 gola në këtë Kupë Bote.

Anglia pritet të jetë disi më e freskët për këtë sfidë, pasi ka zgjidhur gjithçka brenda 90 minutave me Suedinë, ndërsa Kroacia ka luajtur dy 120-minutësha radhazi dhe natyrisht që lojtarët vijnë disi më të konsumuar, ndonëse verdiktin final do ta japë terreni i “Luzhnikit”.

Formacionet e mundshme:

Kroacia: Subasic; Corluka, Lovren, Vida, Strinic; Rakitic, Modric, Rebic, Kramaric, Perisic; Mandzukic

Anglia: Pickford; Walker, Stones, Maguire; Trippier, Lingard, Henderson, Alli, Young; Sterling, Kane

Marketing