Në numrin e djeshëm të gazetës amerikane, “The Washington Times”, preket përsëri çështja e Shqipërisë dhe ndikim i Geroge Soros-it. Gazeta amerikane paralajmëron se, agjenda e Soros në Ballkan, është një rrezik i madh për rajonin dhe për Shtetet e Bashkuara
Erjon Dervishi
Problemet e zgjatura në Ballkan dhe vështirësia e arritjes së një marrëveshje Kosovë-Serbi, ka rritur ndjeshëm shanset që në këtë rajon të gjejnë terren edhe fuqitë e treta të mëdha. Këtë fakt e vë në dukje gazeta e njohur amerikane, “The Washington Times”. Analiza në fjalë, e përgatitur nga analisti amerikan dhe njohës për Ballkanin, Todd Wood, vëren një prani të shtuar të Rusisë, Kinës dhe Turqisë në Shqipëri. Në përpjekje për të shpjeguar arsyet e këtij ngërçi, për rajonin e Ballkanit, Wood, tregon tre probleme që ka rajoni: Mosfunksionimi i NATO-s, dobësia e BE-së, si dhe ndikimi i Goerge Soros. Për ndikimin e këtij të fundit, Wood, shprehet me tone mjaft pesimiste, sepse presidenca e tanishme Trump, po pengohet nga të preferuarit e Obamës në Shqipëri.
Analiza nga Todd Wood
Ballkani është i zhytur në histori dhe në mes të lojës së madhe gjeopolitike. Ne i injorojmë zonat e rrezikut. Shumica drejtuesve të lartë janë të vetëdijshëm për luftërat destabilizuese të Ballkanit, në fund të shekullit të 20-të dhe me siguri janë të vetëdijshëm për shkëndijën që filloi Luftën e Parë Botërore, kur Archduka Franz Ferdinand u vra në Sarajevë, duke iniciuar atë që në histori është quajtur Lufta e Parë Botërore. Sot rajoni po frymëzon përsëri pakënaqësinë, me fuqi të vjetra dhe të reja, të cilat kërkojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre, duke sjellë rreziqe për Perëndimin. Ndikimi më i dukshëm dhe i nënvlerësuar në Ballkanin Perëndimor është Turqia, ku Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, po promovon një rol më të madh për Islamin social dhe politik në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnjë. Udhëtimi im i fundit në Shqipëri ishte në vitin 2014, ku nuk pashë asnjë dëshmi të ndikimit fetar, në vendin historikisht laik. Sot është e vështirë të humbasësh gratë e veshura në rrugë dhe xhamitë e reja që po ndërtohen në kryeqytetin e Tiranës. Me administrimin e Trump, në kundërshtim me qeverinë Erdogan, për arsye të shumta, duke përfshirë arrestimin e pastorit amerikan dhe blerjen e planifikuar të Turqisë për armët, stabiliteti i krahut jugor të NATO-s është në dyshim. Kjo e bën Ballkanin edhe më të rëndësishëm, nga një perspektivë strategjike. Z. Erdogan po ndez kujtimet e vjetra të konfliktit etnik dhe fetar që datojnë nga Perandoria Osmane, pasi ai e promovon veten si një “mbrojtës të myslimanëve”, në rajonin ku, NATO po fut aktualisht disa fonde për të rinovuar një bazë ajrore shqiptare, për të përmbushur standardet e ndërveprimit të aleancës.
Dobësia e NATO-s
Duke folur për NATO-n, aleanca po ngadalëson marrjen e pjesës më të madhe të rajonit të Ballkanit nën mbrojtjen e saj, përballë hidhërimit të Moskës, e cila ka punuar pa u lodhur për të parandaluar që kjo të ndodhë. Serbia është e lidhur fort me kampin e Rusisë dhe me një aleat afatgjatë. Bombardimi i forcave serbe nga NATO në vitet 1990, është ende i freskët në kujtesën e zyrtarëve rusë dhe qytetarëve të zakonshëm. Kina madje ka bërë disa përpjekje për të zgjeruar ndikimin e saj me ofertat tipike të financimit të infrastrukturës së Pekinit (së bashku me listën e gjatë të kushteve që i bashkëngjiten këtyre marrëveshjeve), si pjesë e Iniciativës së “Brezit dhe Rrugës”. Nga ana e saj, Bashkimi Evropian po vazhdon ta lidhë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me premtimin e anëtarësimit eventual – edhe pse korrupsioni është ende mbizotërues në Tiranë dhe Shkup, që ka të ngjarë të pengojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, tani për tani.