Konkursi në MPB, Nuhiu: Janë përzgjedhur mbi 120 kandidatë shqiptarë

Kohë më parë skadoi afati për konkurrim në MPB, dhe tani më janë përzgjedhur rreth 500 kandidatët më të mirë të cilët do të ndjekin kursin e policëve 12 mujor në Qendrën e Idrizovës. Zëvendës ministri i MPB-së Agim Nuhiu për TVM2 thotë se mbi 120 prej tyre janë shqiptarë dhe se përzgjedhja është bërë duke respektuar përfaqësimin e plotë të shqiptarëve në MPB.

Marketing

“Një muaj më parë patëm konkursin për pranim të policëve të rinj, konkursi kishte të bëjë me rreth 500 vende të reja për policë dhe gjatë përzgjedhjes së kandidatëve kemi qenë gjithmonë të përcaktuar që të respektojmë edhe profesionalizmin dhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, sepse kemi vlerësuar se këto dy kushte duhet të plotësohen në mënyrë kumulative që ky konkurs si institucion juridik të jetë i vlefshëm për sistemin juridik politik të vendit.

Janë pranuar 500 kandidatë të rinj ashtu kemi pasur konkursin dhe 25 për qind janë shqiptarë ose janë mbi 120 kandidatë të përkatësisë shqiptare ata do të duhet të ndjekin konkursin në qendrën në Idrizovë dhe pastaj dhe të fillojnë detyrat sipas vendit të punës ku do të sistematizohen”, u shpreh ministri i brendshëm Agim Nuhiu.

Përveç kësaj, në MPB në përfundim e sipër është edhe konkursi për pranimin e 50 inspektorëve të rinj me arsim të profileve të ndryshme. Edhe në këtë konkurs përzgjedhja do të bëhet në bazë të respektimit të kritereve ligjore për seleksionim dhe parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, thotë Nuhiu.

“Të gjithë kandidatët të cilat kanë shkollimin e caktuar, pra kemi pasur vende të punës me fakultet të sigurisë, kriminalistikës, me fakultet juridik, ekonomik dhe me shkollim të mesëm dhe të gjithë ata që i kanë plotësuar kushtet tjera në përputhje me konkursit do të futen në konkurrencë dhe do të përzgjidhen pa dyshim më të mirat”, theksoi Nuhiu.

Autoritet e MPB-së nuk përjashtojnë mundësinë që deri në fund të këtij viti në bazë të nevojave të hapet edhe një konkurs tjetër për policë.

Marketing