Sampdoria e ka mposhtur Napolin bindshëm duke ia shkaktuar humbjen e parë në edicionin e ri të Serisë A, të dielën mbrëma në Genoa, derisa edhe Lazio e shqiptarëve arriti të fitojë kundër Frosinones.
Napoli i Carlo Ancelottit i shkoi Sampdorias në “Luigi Ferraris” pas dy fitoreve mbresëlënëse me rikthim në dy javët e para dhe me motiv të shkuar, por kjo s’i bëri punë, pasi vendasit i dhanë leksion duke e mposhtur 3-0, raporton Gazeta Express.
Samp ishte e shpejtë me super Gregoire Defrel që realizoi dy gola në minutat 11 dhe 32. Kaq kishte nga një pjesë e prë e dominuar nga vendasit.
Ancelottit nuk i bënë punë dy zëvendësimet e bëra mu në fillim të pjesës së dytë, Dries Mertes dhe Ounas që zunë vendet e Lorenzo Insigne dhe Simeone Verdit.
Kjo pasi, Fabio Quagliarella realizoi një gol të pabesueshëm me thembër duke e lënë të shtangur portierin kundërshtar, 15 minuta para fundit të takimit.
3 me 0 ishte një rezultat tejet i lartë për napolitanët që të bëjnë një tjetër rikthim sensacional.
Kjo ishte humbja e parë e Napolit në tri ndeshje, që tani ka 6 pikë në vendin e 5.
Ndërkohë, Sampdoria siguroi fitoren dhe pikët e para në këtë sezon të ri të Serie A.
Në ndeshje tjetër, Lazio e Thomas Strakoshës, që u paraqit nga fillimi, dhe Valon Berishës, që mungoi shkaku i lëndimit, e mundi Frosinonen me rezultat minimal 1-0. Edhe për Lazion, kjo ishte fitorja dhe pikët e para.