Piloti shqiptar Lirim Zendeli vendos rekord në Formula 4

E ka përfunduar në mënyrë të shkëlqyer sezonin në Formula 4, djaloshi shqiptar nga Maqedonia, Lirim Zendeli. 18-vjeçari është tashmë zyrtarisht kampion i Formula 4, teksa në garën e fundit atë të Hockenhemiring në Gjermani, Zendeli arriti të fitojë garën, duke e mbyllur sezonin kështu me një rekord. Ndonëse ishte shpallur kampion gjashtë javë para përfundimit të kampionatit, të dielën pasdite talenti shqiptar i Formula 4, arriti të korr një tjetër sukses, duke fituar 10 nga 20 garat e këtij kampionati. Ky është një rekord për pilotin shqiptar por edhe për ekipin e tij, US Racing – CHRS që drejtohet nga Ralf Schumacher, vëllai i Michael Schumacher gjithashtu ish-pilot i Formula 1. Në garën e ditës së diel, Lirim Zendeli e nisi garën nga vendi i tetë, por në fund arriti të kalonte të gjithë kundërshtarët duke rrëmbyer vendin e parë.

Marketing

Pas përfundimit të garës, Lirim Zendeli është shprehur i lumtur për fundin e sezonit dhe suksesin personal por dhe ekipor të arritur në garat e Formula 4. “Ky ishte një fund i përsosur, duke e mbyllur sezonin me dhjetë fitore. Fitova gjysmën e garave, por doja që këtë fundjavë të merrja një fitore të trefishtë, që për fat të keq nuk e arrita. Gjithsesi me dy fitore jam i kënaqur sepse kam bërë më të mirën që skuadra të fitojë kampionatin”-u shpreh Lirim Zendeli.

Trajneri i tij, ish-piloti i F1, Ralf Schumacher, është shprehur me superlativa për Zendelin, duke vlerësuar talentin e tij dhe punën e bërë gjatë sezonit. “Ky ishte një sezon i madh dhe jemi shumë të mënaqur”-tha Ralf Schumacher pas garave. “Sezoni ka qenë fryt i punës sonë, kemi qenë të fortë në tre sezonet e fundit, por të fitosh tre tituj në një sezon, kjo është qershia mbi tortë. Lirimi na ka dhënë shumë sukses, ai është në vitin e tij të tretë, ka bërë një punë të shkëlqyer. Në situata të vështira nuk ka bërë gabim. Është punë shumë e mirë pas kalimit nga garat kart në Formula 4. Atje ishte kulmi i mësimit pasi garoi gjithmonë me shoferët më të fortë”-është shprehur Ralf Schumacher.

Skuadra e US Racing-CHRS u shpall kampione e trefishtë e këtij kampionati, pasi veç Lirim Zendelit që fitoi renditjen e përgjithshme si pilot, skuadra fitoi titullin e Konstruktorëve ndërsa David Schumacher u shpall si piloti më i mirë debutues, edhe ky pjesë e ekipit të US Racing.