Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot së bashku me Ministrin për Arsim dhe Shkencë, Arbër Ademi, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe Ministrin për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Sadulla Duraku, mbajtën takim të përbashkët me biznesmenët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Në takim bashkëbiseduesit shkëmbyen informacione lidhur me gjendjen dhe sfidat e sektorit të biznesit, të vetë biznesmenëve, si dhe për potencialet dhe mundësitë që dalin nga perspektiva evropiane të vendit, edhe atë nga vetë fillimi i procesit të negociatave.
“Vetë përafrimi deri në Bashkimin Evropian do të thotë edhe harmonizim i rregullave, standardeve të Maqedonisë me ato të Unionit, diçka që krahas shtetit, pjesën e tyre duhet ta marrin edhe segmentet tjera shoqërore, ku edhe barra e madhe rreth harmonizimi të vendit do ti bartet edhe në sektorin e biznesit” – theksoi Osmani, duke shtuar se hapja e kufijve të tregut evropian për produktet dhe shërbimet nga Republika e Maqedonisë, është mundësi biznesi, si dhe sfidë shtesë për adaptimin e prodhimit, të cilësisë, standardizimit etj., në përputhje me rregullat dhe standardet evropiane.
“Si shtesë, tregjet hapen dyanshëm me çka tregu ynë bëhet më konkurrent, diçka që bizneset tona me doemos të adaptohen, dhe për çka gjithsesi, në periudhën që vijon, do ta kenë mbështetjen e shtetit, në veçanti përmes intervenimeve me mjetet e fondeve të IPA-s, qëllimi i së cilës është pikërisht adaptimi me standardet dhe rregullat evropiane.
Në kuadër të takimit të sotëm bashkëbiseduesit së bashku ranë dakord se përafrimi deri në Bashkimin Evropian, është përfitim për biznesin, mundësi i jashtëzakonshëm për zhvillimin e tyre, progres, si dhe sfidë e vetë biznesmenëve të tregohen më evropian, e jo vetëm me rregulla të Ballkanit.