Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgël për MIA ka deklaruar se opozitarja VMRO-DPMNE nuk e kaloi testin e pjekurisë në referendumin për Marrëveshjen me Greqinë dhe vlerëson se sjellja e kësaj partie, bashkë me presidentin Gjorge Ivanov, fsheh tentimin të mbrohen ata të cilët kanë shkelur ligjin.
“Ka edhe disa punë që nuk janë transparente, Më duket se VMRO-DPMNE me taktizimin e saj dëshiron të mbrojë njerëzit të cilët kanë shkelur ligjin, kundër të cilëve ka hetime dhe procedura gjyqësore”, ka thënë Vajgël.
Ai e rikujton këtë parti se për BE-në ato çështje patjetër të mbeten në duart e gjyqësisë, pasi, “korrupsioni dhe shkelja e ligjeve dhe dhuna në Kuvend nuk mund të lihen anësh”.
Ai shpreh keqardhje që opozita dhe presidenti Ivanov nuk i vendosin interesat e shtetit para atyre partiake.
“Mendoj se VMRO-ja ra në testin e pjekurisë dhe se ai angazhim i VMRO-së dhe i presidentit nuk mund të arsyetohet me disa argumente oportuniste që i dedikohen vetëm raporteve të forcës në politikë, jo të ardhmes së vendit. Kur e krijuam marrëveshjen e Përzhinës të gjitha partitë u obliguan të vendosin interesat prapa dhe se do t’i përkushtohen të ardhmes së vendit”, ka thënë Vajgël.
Sipas tij, kryeministri Zoran Zaev ka legjitimitet të vazhdojë me kërkesën e shumicës për ndryshimet kushtetuese në Kuvend dhe fokusin e vendos në atë të cilët thanë “po”, e jo bojkotit.
“Fakti që më shumë se 90 për qind e njerëzve konsiderojnë se duhet të ta thonë mendimin e tyre për të ardhmen e Maqedonisë është e obligueshme”, ka thënë raportuesi.
Ai shton se edhe pse skenari për zgjedhje të parakohshme nuk është i dëshirueshëm për BE-në, ai mbetet mjet legjitim demokratik.
“Unë besoj se ka kohë të mjaftueshme edhe për njërën dhe tjetrën (ndryshime kushtetuese apo zgjedhje) dhe se duhet të mbahet llogari për partnerin, Qeverinë greke, pasi edhe ajo ka korniza kohore, që nënkupton se nuk guxohet të pritet në qeverinë e re në Greqi. Gjithçka duhet të përfundohet në mandatin e qeverisë aktuale. Në fund, ende jam optimist se kjo do të përfundojë mirë për Maqedoninë”, ka thënë Vajgël për MIA.
Referendumi, shton ai, tregoi se Maqedonia është vendi i ndarë dhe se partitë nuk arrijnë të gjejnë kompromis. Ai thekson se porosia tjetër me rëndësi e këtij procesi është se BE, NATO dhe bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Maqedonisë.