VMRO-DPMNE, sonte mbledhja e komitetit qendror

Nuk ka nismë për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Burime nga institucioni ligjvënës bëjnë të ditur se të paktën deri më tani, te kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nuk ka arritur asnjë nismë nga deputetët e shumicës.

Marketing

Kjo e fundit akoma është duke pritur qëndrimin e opozitës. Megjithatë sipas pushtetit tashmë ka filluar numërimi nga mbrapshtë. Deputetët socialdemokrat mohojnë se ndaj opozitës po bëhet presion me qëllim mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese.

Mjafton presioni i 606 mijë qytetarëve të cilët qartë e shprehën qëndrimin e tyre duke mbështetur marrëveshjen me Greqinë me qëllim integrimin e vendit në NATO dhe BE. Konsiderojmë se ky është qëndrim legjitim i qytetarëve të cilët na japim mbështetje, kredibilitet dhe legjitimitet që ne deputetët ta zbatojmë marrëveshjen në Kuvend. Ditët po kalojnë. Sa i përket afateve, kemi edhe disa ditë hapësirë që tek VMRO-DPMNE-ja si parti e përgjegjshme të sundojë logjika dhe marrëveshja me Greqinë të zbatohet në Kuvend”- u shpreh Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Opozita mbetet në qëndrimin e thënë pas referendumit. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, kryeministri Zoran Zaev duhet të jap dorëheqje dhe të ofrojë kushtet që opozita i kërkon si kryeprokurorin dhe Qeverinë teknike 100 ditë para zgjedhjeve që vendi të mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nga e diela e këtej prej kur referendumi dështoi, Zoran Zaev dhe LSDM-ja janë të dëshpëruar dhe po i kalojnë kufijtë. I vetmi veprim që mund të ndërmarr Zaev është që të japë dorëheqje ashtu siç kishte premtuar më herët.

Rezultatet në referendum dëshmuan se çfarë mendojnë shumica e qytetarëve të Maqedonisë për Zoran Zaevin dhe politikat e LSDM-së. E vetmja gjë që tani mund të bëj Zaev është të dorë hiqet dhe t’i shpëtojë qytetarët nga kjo agoni që po e servon tashmë disa vite”- theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja ka thirrur mbledhje të Komitetit Qendror për të diskutuat situatën aktuale politike. Burime nga kjo parti bëjnë të ditur se vendimi i dalë nga kjo mbledhje do të filtrohet edhe në Komitetin Ekzekutiv dhe grupin parlamentar. Opozita nuk do të heq dorë nga kërkesat e saj pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit për zgjedhje.

Jo zyrtarisht flitet se shumica mund ta testojë gatishmërinë e opozitës edhe atë duke iniciuar shpërbërjen e Kuvendit dhe i pari i organit ekzekutiv duke deponuar dorëheqje. Paralajmërimit të kryeministrit për zgjedhje të parakohshme, opozita iu përgjigj me kërkesa konkrete ndërsa partnerët e koalicionit me qëndrimin se koha nuk premton.