Shkup, mbahet Kongresi i III-të i Lidhjes së Shqiptarëve në botë

Shqiptarët ndonëse janë avancuar në fusha të caktuara, kanë nevojë për unitet dhe dashuri më të madhe ndërmjet tyre, që është edhe pjesë e programit të Lidhjes Shqiptare në Botë. Kështu vlerësoi kryetari i kësaj lidhje Simon Kuzhnini në kongresin e tretë të LSHB-së që u mbajt në Shkup. Ai bëri thirrje për një kujdes më të madh nga institucionet e R. Së Shqipërisë, për shqiptarët jashtë saj, ndërsa kritikoi edhe punën e akademive, të cilat sipas tij janë të heshtura.

Marketing

“E thërras nënën Shqipëri, o moj nëna Shqipëri, ishim të ndarë, por tash u bashkuam, ende nuk na përqafove. Këto 15 vitet e fundit asnjëherë nuk kemi lexuar që akademia deklaron se si është situata e jonë në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe si i kemi vëllezërit tanë, bijtë dhe bija tona jashtë trojeve tona. Lëvizu akademi lëvizu, shkruaj, këtë dojmë ne”, tha Simon Kuzhnini, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë.

Me Shqipërinë anëtare e NATO-s dh vend që pret fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, me një Kosovë të pavarur me ushtrinë e vet, dhe me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, gjendja e shqiptarëve është më e mirë se kurdoherë më parë, vlerësuan ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe zv/ Kryeministri i Maqedonisë Bujar Osmani.

“Dua ti uroj shqiptarët në Maqedoni për votën që ishte e qartë në Kuvendin e Maqedonisë sa i takon çështjes së emrit dhe kjo është fitore e shqiptarëve që jetojnë këtu, është fitore e çdokujt që është shqiptar dhe jeton në rajon. Një ngjarje të njëjtë që e patëm javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, vendimin për themelimin e ushtrisë së Kosovës, e cila do të jetë partner i NATO-s. Këto dy ngjarje janë ngjarje perëndimore për shqiptarët dhe ngjarje patriotike për shqiptarët”, tha Enver Hoxhaj, ministër i jashtëm i Kosovës.

“Po bëjmë përpjekje për rrumbullakimin e idesë që shumë shpejtë në mënyrë institucionale që në Bllacë të ndërtojmë qendrën më të madhe memoriale të holokaustit në përkujtim të të gjithë atyre të dëbuarve në luftën e Kosovës të cilët u pritën në Maqedoni, për të përkujtuar të kaluarën, por edhe për të ndërtuar një platformë e cila do të jetë e mjaftueshme për pajtimin e popujve e cila është një garancë e vetme për një rajon stabil të orientuar drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Bujar Osmani, zv/Kryeministër.

Shqiptarët që veprojnë në diasporë theksuan nevojën e unitetit dhe mbështetjes nga ana e institucioneve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

“Për çdo drejtim , kur i bëjmë punët tona që i pranojmë, vjen suksesi. Edhe unë me shumë kolegë, afarist, nga të gjitha trojet mundohemi sa më shumë të lidhemi mes vete dhe sa më shumë të bëjmë investime në viset shqiptare dhe ekonomikisht të mbërrijmë aty ku të gjitha shtetet e civilizuara janë”, tha Lazim Destani, afarist.

“Me unitetin tonë kemi arritur që në parlamentin e Kroacisë të kemi deputet që përfaqësojnë interesat shqiptare. Kemi nevojë për një mbështetje të madhe nga institucionet tona si nga Shqipëria, Kosova, por edhe nga institucionet në Maqedoni që të jemi më unik dhe të kemi një platformë të strategjisë kombëtare për popullin shqiptar”, tha Ermina Lekaj Prlaskaj, deputete në kuvendin e Kroacisë.

Të pranishmit në kongres gjithashtu vlerësuan përzgjedhjen që Shkupi të jetë nikoqir i këtij kongresi, kjo për faktin se Shkupi historikisht njihet si qyteti në të cilën janë mbajtur mjaft kuvende të rëndësishme kombëtare. LSHB në këtë kongres zgjodhi kryesinë e re.