Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, ka dalë me mbështetje të hapur për kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Siç dihet, ai ishte pjesë e grupit që kundërshtonin përzgjedhjen e Mickoskit në krye të VMRO-DPMNE-së, pas largimit të Nikolla Gruevskit.
“Zhvillimet dramatike në Kuvend dhe akti ilegal kundër kushtetutës, të paktën tregoi një pasqyrë të qartë për atë se kush tenton që të respektohet vullneti i popullit nga të cilët jemi përzgjedhur dhe kujt i interesojnë marrëveshjet fshehtas. Hristijan Mickoski, kryetari i VMRO-DPMNE-së, megjithatë tregoi se më e rëndësishme për të është besimi demokratik që votuesit ua kanë dhënë deputetëve dhe vullneti i anëtarësisë dhe simpatizuesve.
Me këtë qëndrim e ka merituar përkrahjen time si deputetë, si anëtarë i VMRO-DPMNE-së nga viti 1992. Konsolidimi dhe uniteti i VMRO-DPMNE-së, në bazë të përcaktimeve programore janë të nevojshme për demokracinë në Maqedoni”, ka shkruar Milloshovski.