Nisi punimet edicioni i parë i Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë, në kuadër të të cilit i zhvillon punimet konferenca shkencore: “Ballkanologjia sot dhe komunikimet ndërballkanike”. Seminari u hap nga drejtuesi i tij Qemal Murati, i cili theksoi nevojën për mbajtjen e këtij aktiviteti shkencor, që ka për qëllim ballkanologjinë ta trajtojë si një shkencë të mirëfilltë, larg politizimeve, romantizmave e mitizimeve të kota.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se sot po hapim një kapitull të ri të Institutit tonë, me instalimin e një instrumenti të ri organizativ – shkencor, Seminarit Ndërkombëtar të Ballkanologjisë, i cili mëton të sjell një qasje të re dhe argumentuese mbi ballkanologjinë.
Në fjalën përshëndetëse në seminar ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi dhe ai i Kulturës Asaf Ademi theksuan rëndësinë e komunikimit të ndërsjellë mes popujve ballkanikë.
“Jemi mësuar që për të kaluarën historike të popujve të Ballkanit të dëgjojmë më shumë për luftëra të përgjakshme, dhunë, jotolerancë dhe moskomunikim të ndërsjellë, dhe shumë pak kemi dëgjuar për shkëndija mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të sinqertë”, tha mes tjerash ministri i Arsimit.
Por, realisht plotësoi më tej ai, e kaluara e popujve të Ballkanit është e mbushur edhe me shembuj pozitiv, si rezultat i bashkëjetesës së gjatë mes popujve të gjuhëve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme. Prandaj, punimet e kësaj konference, nënvizoi më tej Ademi, i shoh pikërisht në këtë prizëm, ku përmes gjuhës së shkencës, do të thuhen të vërtetat historike, linguistike dhe kulturore për interkulturën e Ballkanit”, tha ministri i Arsimit Ademi.
Ai u shpreh i bindur se tani janë krijuar rrethana që
mundësojnë “gjykimin me më vigjilencë dhe me një sy më kritik, objektiv e shkencor të gjërat që na bashkojnë dhe na krijojnë predispozita solide për të jetuar dinjitetshëm me njëri-tjetrin”. “Gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha dhe më sublime se sa gjërat që na ndajnë. Shkupi duke qenë një kryeqendër e rëndësishme ballkanike në të gjitha periudhat kohore e deri më sot, është vendi më meritor për organizimin e aktiviteteve të mirëfillta shkencore, prej ku pritet që studiuesit të dalin me ide dhe koncepte të reja për Ballkanin dhe ballkanologjinë”, theksoi ministri.
Pas hapjes solemne, filloi punimet sesioni i Letërsisë, ku me punimet e tyre u paraqitën studiuesit e njohur: Rexhep Qosja (në mungesën e tij fizike, kumtesën e lexoi udhëheqësja Valdeta Kasapi), Floresha Dado, Agim Vinca, Hysen Matoshi, Isak Shema, Sadri Fetiu, Izaim Murtezani, Adem Jakllari, Avzi Mustafa dhe Viktor Bikallari.
Në sesionin e Gjuhësisë referuan studiuesit: Gerd Dieter Hering, Shefkije Islamaj, Emil Lafe, Gjovalin Shkurtaj, Xhelal Ylli, Ali Jashari – Aldo Cicko (Jashari), Valter Memisha, Rusana Hristova-Bejleri, Giovanni Belluscio, Qemal Murati, Zeqirija Ibrahimi, Bardhosh Gaçe, Dhimitri Bello, Idriz Metani, Olger Brame, Izer Maksuti dhe Xhafer Beqiraj.
Sesioni i Etnokulturologjisë dhe Historisë, zhvillohet ditën e nesërme (23 tetor 2018, ora 10:00), ndërsa do të referojnë studiuesit: Robert Pichler, Ana Čupeska Stanishkovska, Reis Mulita-Zlber Sela, Nuri Bexheti, Ibrahim Gashi, Nebi Dervishi, Anton Pançev, Milazim Elshani – Daut Bislimi, Mixhait Pollozhani, Nail Draga, Sefer Tahiri, Agim Poshka dhe Konrad Clewing.
Gjithashtu, nesër nga ora 12:00, do të promovohen vepra kushtuar Skënderbeut: “Skënderbeu në vendet nordike” nga autorët Xhevat Lloshi dhe John Quanrud, “Shkupi për vitin e Skënderbeut” (1468-2018), ITSHKSH-Shkup dhe revista “Studime Albanologjike” nr. 17.