Kançevska demanton “PAZARIN” për votën e saj

Pas Kërsto Mukoskit, Luben Arnaudovit dhe Sasho Vasilevskit, edhe deputetja Elizabeta Kançeska- Milevska mohon se ka bërë pazar me pushtetin që t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Ish ministrja e kulturës në një intervistë për emisionin “360 gradë” në Alsat tha se nuk ka marrëveshje me të cilën vota e saj “Për” marrëveshjen e Prespës do t’i sillte liri në rastin “Tenderët” ku Specialja e ndjek për abuzim të detyrës.

Marketing

Siç thashë, ai që thotë se ka pasur ryshfet, se janë ndarë mjete, sërish u bëj thirrje të gjithë ata që kanë dyshime apo kanë ndonjë dëshmi, ta publikojnë të njëjtën. Unë u drejtova publikisht, ja edhe tani në emisionin tuaj. Secilit i bëj thirrje publike, ja mund ta ftoj edhe opozitën edhe pushtetin për momentin, PSP-në, a ka pasur me mua bisedime të tilla në këtë drejtim? JO…! – u shpreh Elizabeta Kançeska- Milevska
Kançeska- Milevska megjithatë konfirmoi se ka pasur takim me kryeministrin Zoran Zaev para se në Kuvend të votohen ndryshimet kushtetuese.

Nuk zbardhi detaje nga biseda, por shtoi se përveç me të, ka pasur takime edhe me deputetët e pushtetit dhe opozitës. Ngjashëm me ish ministren e kulturës, edhe kolegët e saj të akuzuar për hyrjen e dhunshme në Kuvend, mohojnë të kenë bërë pazar me pushtetin për të votuar “Për” Marrëveshjen e Prespës në këmbim të ndonjë amnistie eventuale për ngjarjet e 27 prillit.

Megjithatë, dyshim ndaj vendimit të tyre për mbështetjen e procesit për hapjen e Kushtetutës hodhi vendimi që Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov të dalin nga arresti shtëpiak tre ditë para votimit ndërsa Kërsto Mukoski të lirohet në ditën e votimit.

Ata disa muaj ishin në paraburgim, fillimisht në burgun e Shutkës, e më pas u bartën në arrest shtëpiak. Por, të njëjtit u liruan menjëherë pas paralajmërimit të kryeministrit Zaev se nevojitet pajtim, deklaratë që në opinioni u interpretua si ofertë për falje të pjesëmarrësve në ngjarjet e 27 prillit.