Ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut, kanë aktualizuar kërkesat e opozitës shqiptare për ndërhyrje edhe në disa nene të tjera të Kushtetutës me qëllim, siç thonë ata, “avancimin e pozitës shqiptare në shtet”, citon Radio Evropa e Lirë.
Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Ziadin Sela dhe njëri krah i lëvizjes BESA, kërkojnë që këto pjesë të Kushtetutës të ndryshohen dhe qartë të përkufizohet se gjuhë zyrtare në Maqedoni është edhe gjuha shqipe, siç duhet të rregullohen edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.
“Ashtu siç ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim për identitetin dhe gjuhën e bashkëqytetarëve tanë, njëjtë edhe deputetët e subjekteve politike maqedonase duhet të kenë mirëkuptim për gjuhën tonë. Gjuha jonë nuk mund të quhet gjuhë e ndryshme nga maqedonishtja, ajo duhet të jetë gjuha shqipe, ashtu siç është dhe ashtu siç i takon. Ne nuk do të heqim dorë nga amendamentet tona dhe me to synojmë që shteti të jetë më i drejtë dhe Kushtetuta të promovojë vlera dhe të japë liri dhe jo t’i sanksionojë ato”, ka thënë Sela.
Veç partive opozitare, siç citon REL, kërkesa të tilla janë paraqitur edhe nga Forumi i intelektualëve shqiptarë dhe diaspora shqiptare.
Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e Qeverisë, kërkesat e opozitës i kanë quajtur të motivuara për fitimin e pikëve politike, pasi, sipas BDI-së, “amendamente mund të dorëzohen vetëm për nenet që propozohen për ndryshim e jo në nene të tjera”.
“Ky folklorizëm i partive të vogla me fjalë të mëdha flet për mungesën e identitetit partiak, politik dhe shfaq mosnjohurinë, mungesën e kreativitetit dhe përpjekjen e dështuar për t’u faktorizuar nëpërmjet derës së vogël…”, kanë thënë nga BDI-ja, njofton REL.
Ndryshe, Qeveria të hënën pritet të dorëzojë përmbajtjen e amendamenteve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit, me të cilat pritet zhbllokimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe në BE.