Diplomat që nuk bëjnë punë, vërshon juridiku dhe ekonomiku

Mungesa e harmonizimit të nevojave të tregut me drejtimet studimore në universitetet e Maqedonisë, qofshin ato publike apo private, vazhdon të prodhojë kuadro të diplomuar që pak punë i hyjnë dikujt. S’ka universitetet që tashmë nuk ka arritur të akreditojë programe me formë dhe përmbajtje identike, ndërsa Fakultete të Drejtësisë dhe Ekonomisë ka në secilin universitet, shkruan gazeta Koha.

Marketing

Mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si dhe nga vet institucionet e larta arsimore vet vazhdon të shënohet si njëri ndër problemet më serioz me të cilat ballafaqohen të diplomuarit, pasi si ekonomistë dhe juristë me bollëk, nuk i nevojiten tregut të vendit e as më gjerë, ndërsa të vetmen punë që mund ta bëjnë, është punësimi në administratën e shtetit.

22 FAKULTETE EKONOMIK DHE 15 JURIDIK

Kjo mund të shihet edhe në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, ku numri më i madh të i atyre që kërkojnë punë, janë ata që kanë mbaruar në shkencat shoqërore, ndërsa kryesojnë ekonomistët dhe juristët. Në Maqedoni, aktualisht ka 22 Fakultete Ekonomike dhe 15 Juridike që janë të akredituar, ndërsa në të parin, në vitin akademik 2017/18 ka 10.997 studentë, ndërsa juridikun studiojnë 4884 studentë. Se arsimi universitar është në krizë, këtë e dëshmon edhe një postim i profesorit të Ekonomisë, Izet Zeqiri, i cili nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se Maqedonisë madje i mungojnë kapacitet me kuadro shkencorë për pesë fakultete ekonomike, transmeton KOHA.

“Nëse analizojmë studentët e regjistruar sipas drejtimeve 2017/2018 dhe numrin e fakulteteve do të shohim se ne prodhojmë kuadro në shkencat shoqërore, për të cilat tregu i punës ka më pak nevojë dhe kemi një numër të madh të fakulteteve të akredituara që nuk i plotësojnë kushtet për akreditim, gjithmonë sipas ligjit. Aktualisht ne kemi 22 Fakultete Ekonomike me 10.997 studentë dhe 15 fakultete juridike me 4.884 studentë të regjistruar. Maqedonia s’ka kapacitete të kuadrove me thirrje mësimore shkencore për pesë Fakultete Ekonomike dhe Juridike e jo 22, respektivisht 15 Fakultete. Ministria e Arsimit duhet të jetë në veprim!”, shkruan Zeqiri.

Në Odën Ekonomike të Maqedonisë e pranojnë se në Maqedoni, universitetet publike nuk kanë programe që janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës, por shtojnë se edhe nuk ka numër të mjaftueshëm të stafit akademik të kualifikuar, siç janë ato nga fusha e shkencës kompjuterike.

“Kjo rezulton me përgatitjen joadekuate të të diplomuarve, të cilët, po ashtu, kanë vështirësi të punësohen, përkundër faktit se ekziston kërkesa për specialistë të kësaj fushe. Të gjithë bashkërisht duhet filluar me racionalizimin e programeve të përsëritura”, thonë në OEM.

Prej vitesh ekziston një plan për reformimin e universiteteve publike në Maqedoni, e që ishte konceptuar të shkojë drejt racionalizimit të programeve studimore, gjithmonë në përputhje me nevojat dhe stafin që kanë ata. Rruga tjetër ishte premtuar edhe profilizimi i universiteteve publike ashtu që të ofrojnë vetëm programe nga fusha të caktuara të specializimit, duke shmangur dyfishimin e panevojshëm të programeve. Problem tjetër, siç thonë njohësit e politikave arsimore në vend, janë edhe universitetet private të cilët arrijnë të akreditojnë programe pa i plotësuar kushtet ligjore të vendit. Në shumë universitete private, në qytete të ndryshme të vendit, krahas atyre publike, kryesojnë Fakulteti Juridik dhe ai Ekonomik.

“Ky është fakt i ditur me ose pa studim të fizibilitetit dhe pa kuadër të mjaftueshëm të paraparë me ligj”, thonë ekspertët e arsimit, ndërsa i apelojnë MASH-it të bashkëpunojë me institucionet tjera të shtetit, siç është Agjencia për Punësim dhe Odat Ekonomike me qëllim që të nis përgatitja sa më parë e një Strategjie për shpëtimin e vendit nga, siç thonë ata, “diplomat që përfundojnë në zyrat e administratës së shtetit”.

Përfshirja e politikës dhe politikanëve në biznesin e universiteteve është një problem tjetër që po merr përmasa rishtuese në vend. Ka deputetë, kryetarë komunash dhe ministra që udhëheqin ose ndonjë universitet privat, ose janë udhëheqës të programeve të ndryshme në universiteteve publike dhe me këtë, bëhet ndërhyrja te MASH-i për akreditimin e programeve studimore, ndërsa mungon vëzhgimi nga afër i procesit arsimor në këto institucione të larta arsimore.

SHQETËSUESE AVANCIMET DHE TITUJT SHKENCOR

Shqetësuese paraqitet edhe avancimet dhe titujt shkencor. Nëse dikur kjo situatë e shpërndarjes së titujve shkencore ishte e përhapur më shumë në universitetet private, tashmë një titull shkencor, madje edhe të blerë në internet, e japin edhe universitetet publike. Të nxitur nga numri i kandidatëve dhe fitimet që mund t’i ketë një Fakultet, universitetet publike tashmë kryesojnë me numrin e titujve të ndarë shkencor. Bile, ka raste kur kandidati flet një gjuhë tjetër e Komisioni krejtësisht një tjetër dhe kështu, pa u marrë vesh me njëri tjetrin, jepet titulli shkencor. Shumë kandidatë nga Kosova tashmë po marrin tituj shkencor në Universitetin publik të Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërsa gjuha në të cilët realizohet tema e diplomës është shqip e kandidatit dhe maqedonisht e Komisionit universitar.