Presidenti Gjorgje Ivanov duhet të përballet me mocionin e mosbesimit, kështu vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Trendafill Ivanovski.
Sipas tij, në këtë rast kemi të bëjmë me mungesën e përgjegjësisë kushtetuese nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, sa i përket realizimit të obligimeve që ka ai si kryetar shteti, në rastin konkret, obligimet për dekretimin e Ligjit të gjuhës shqipe si dhe Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, të njohur si Marrëveshja e Prespës.
“Do të thosha me këtë veprim presidenti mban të bllokuar ligjet për të cilat është shprehur përmes votës, madje dy herë institucioni ligjdhënës, kur flasim për Ligin për përdorimin e gjuhëve, kjo paraqet vepër penale edhe pse edhe në këtë drejtim ka shumë zbrazëtira ligjore. Sa i përket Ligjit të gjuhëve, presidenti thirret në atë se nuk kishte debat gjatë miratimit të të njëjtit herën e dytë, përderisa më e qartë është situata me Marrëveshjen e Prespës, ku ai me dy këmbë shkel mbi obligimet kushtetuese”, thotë Ivanovski.
Ndryshe, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov tanimë një kohë refuzon të dekretojë Ligjin e gjuhëve edhe pas kalimit për herë të dytë në Parlament, duke penguar kështu shpalljen e ligjit në gazetë zyrtare, që do të mundësonte jetësimin në praktikë të këtij ligji.
Ivanov po ashtu ka refuzuar që të dekretojë edhe ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, pas sipas tij, kjo marrëveshje është anti-kushtetuese që cenon interesat e shtetit dhe identitetin maqedonas.