Ndotja e ajrit, gjoba për zjarre në ambient të hapur

50 euro do të jetë dënimi për personat që ndezin zjarre në vende të hapura. Siç bënë të ditur zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Valon Salihu, djegia e plastikës, gomës, kabllove, drunjve jokualitativ, ndezja e deponive të egra, janë shkaktarët më të mëdhenj të ndotjes së ajrit, por duke mos përjashtuar edhe ndotësit si komunikacioni, automjetet e vjetra dhe industritë.

Marketing

Salihi njofton se Qyteti i Shkupit do të jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës për qytetarët që duan të paraqesin ndonjë zjarr, në ambiente të hapura dhe që i njëjti e ndihmon edhe më shumë ndotjen e ajrit.

“Sipas statistikave, një e treta e ndotjes së ajrit vjen nga ngrohja me drunj. Ndërsa elementet helmuese të cilat i lëshojnë në ajër, zjarret e hapura, janë ndër më të këqijat. Për këtë arsye ekipe të përziera edhe këtë vit do të punojnë 24/7, për t’i luftuar këto dukuri.

Qytetarët do të mund aktivisht t’i paraqesin zjarret e hapura në numrat e telefonit 193…Nëse ka nevojë për kujdesjen e personave që nuk kanë strehë mbi kokë dhe ndezin zjarrin për tu ngrohur gjatë ditëve të dimrit do të intervenojnë në koordinim me Qendrën për Punë Sociale”., deklaroi Vakon Salihu, zëdhënës i Qytetit të Shkupit.

Udhëheqësi i sektorit “Inspektorat i Qytetit të Shkupit” Mirosllav Bogdanovski, është i mendimit që sasia e dënimit të tanishëm për persona që ndezin zjarre, të rritet. Ndërkaq, shkaktarët e tyre, tha ai zakonisht janë persona të mitur.

“Inspektorati i Qytetit të Shkupit me resurset njerëzore që posedon kryen kontrolle në gjithë territorin e qytetit. Janë gjetur dhe dënuar shumë prsona që kanë thyer ligjin. Kontrollet bëhen në të ashtuquajturat ‘pikat e zeza’ të qytetit, nën Kala, në Gjorçe…Nëse kapet person që ndez zjarr, dënimi është 50 euro, që është dënim minimal dhe mendoj që duhet të jetë më e madhe, për ndotësit e mjedisit”., theksoi Mirosllav Bogdanovski, udhëheqës i sektorit “Inspektorat i Qytetit të Shkupit”.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithsej 438 denoncime nga qytetarët, ndërsa është intervenuar në 334 prej rasteve.