Akoma asnjë gjurmë nga transportuesit e drogës që u gjet mbrëmë në afërsi të pikës kufitare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Më shumë se 50 kilogram që u tentua të kalonin përmes pikës kufitare të Qafëthanës, mbeten në duar të policisë.
Ministra e Punëve të Brendshme ende nuk i ka mësuar ose nuk dëshiron t’i ndaj me opinionin emrat e trafikantëve që mbrëmë kanë tentuar ta transportojnë drogën nga Shqipëria në Maqedoni, por thonë se po i kryqëzojnë faktet dhe informacionet që i posedojnë.
Mbrëmë rreth orës 19 në afërsi të pikës kufitare Qafëthanë janë gjetur dy çanta ku ka pasur 46 pako marijuhanë, me peshë prej rreth 50 kilogramësh. Çantat janë marrë për analiza dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit”- u shpreh Toni Angelovski, zëdhënës i MPB-së.
Jozyrtarisht mësohet se bëhet fjalë për shtetas të Shqipërisë, rrjeti i të cilëve mendohet të jetë më i gjerë se kaq. I panjohur gjithashtu ende mbetet destinacioni i kësaj dërgese që mbrëmë u detektua nga policia kufitare e Maqedonisë. Kohëve të fundit janë shtuar aksionet policore kundër trafikimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike nga jashtë dhe brenda shtetit.