MPJ-ja e Hungarisë nuk jep detaje për Gruevskin

Ministria e Jashtme e Hungarisë nuk konfirmon nëse vërtetë ish kryeministri, Nikolla Gruevski ndodhet në Budapest, nëse Gruevski ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze dhe rrjedhimisht, cili është qëndrimi i autoriteteve të atjeshme. As nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë akoma pa përgjigje për Alsat se çfarë masash do të ndërmarrin në këtë rast.

Marketing

Më herët gjatë ditës, para se Gruevski të shkruante publikisht se ndodhet në Budapest kryeministri, Zoran Zaev dhe Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska thanë se nuk besojnë që ish kryeministri të jetë arratisur jashtë vendit. Zaev kërkoi që të lejohen organet të bëjnë punën e tyre.

Të besojmë në gjyqësor, të besojmë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ta bëjnë punën e tyre. E shihni edhe disa të tjerë që më herët kanë qenë në arrati, disa janë kthyer dhe disa i dimë se ku janë. Herët ose vonë do të ekstradohen, do të kthehen mbrapsht në Maqedoni. Flas për dy bashkëqytetarët tonë që ikën në Greqi. S’ka ikje. Policia nuk ka pasur asnjë të drejtë pa akt udhëzimi ta pengojë lirinë e Gruevskit. Nuk ka pasur të drejtë as ta ndjekë dhe as të ndërmarrë diçka- deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Shekerinska nga ana tjetër, thë se përgjegjësia, në rast të ikjes dhe fshehjes nga drejtësia, duhet të kërkohet në organet gjyqësore.

Tani gjykata duhet të hetojë se përse për këto raste kaq vështirë zbatojnë masën e paraburgimit kur tashmë u kanë ikur disa persona dhe përse duhet të kalonin tre ditë që udhëzimi i gjykatës të arrijë deri te Ministria e Punëve të Brendshme. Nuk do t’i zgjidhim problemet nëse qeveria shëndrrohet në prokurori, gjykatë dhe pushtet ekzekutiv- tha Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Nga partia më e madhe opozitare pa koment rreth arratisjes së ish liderit të tyre.

Ashtu siç tha dje Sekretari i Përgjithshëm, sot po e përsëris të njëjtën, nuk kemi kontakt dhe nuk kemi informacione se ku ndodhet kryetari i mëparshëm, Gruevski. Unë mund të ju them se personalisht nuk kam kontakt me të më se 9-10 muaj- tha Dimçe Arsovski, VMRO DPMNE.

LSDM-ja ndërkaq kërkon prononcim nga lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski nëse e arsyeton fshehjen e Gruevskit nga organet e drejtësisë.

“Nga frika e ballafaqimit me përgjegjësi për krimin, Gruevski ka ikur në mënyrë tinëzare. Krimineli Gruevski preku fundin, ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm. Me ikjen qyqare, patrioti i rremë, krimineli Gruevski ka treguar se i mbetet besnik kauzës së krimit të cilin me vite e instaloi. Nikolla Gruevski është turp për opinionin dhe turp për VMRO-DPMNE-në. Pengu i tij, Mickoski duhet të përgjigjet a e arsyeton ikjen e Gruevskit dhe fshehjen e tij nga drejtësia.”, thonë nga LSDM.
Deri tani, kreu i VMRO-DPMNE-së Mickoski, nuk është prononcuar për këtë rast.