Rritja e pagave për administratorët, Mançevski: Motivim për profesionalizëm

Rritja e pagave në administratë ka për qëllim t’i motivojë ata që të punojnë në mënyrë sa më profesionale, duke u shërbyer qytetarëve, thotë ministri i administratës publike, Damjan Mançevski. Ai premton se asnjë administrator nuk do ta marrë pagën më nga shtëpia dhe paralajmëroi se muajin që vjen nis faza e dytë e shpërndarjes së administratorëve nëpër institucione.

Marketing

“Pagat në sektorin publik nuk janë tërheqëse dhe paraqesin një problem që nuk mund të tërheqë staf profesional në administratë. Procesi për shpërndarjen e administratorëve vazhdon, kemi përfunduar fazën e parë, muajin e ardhshëm do të vazhdojmë me fazën e dytë dhe përfundimisht nuk do të kemi më njerëz që marrin pagat duke qëndruar në shtëpi”,- theksoi ministri i informatikës dhe shoqërisë, Damjan Mançevski.

Nga misioni i OSBE-së inkurajojnë autoritetet të vazhdojnë me reformat.

“Reformat janë proces që zgjatin shumë. Ka një fillim të mirë, por edhe në vendet tjera, procesi i implementimin zgjat shumë dhe është i rëndë. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë aty ku mundemi”,- tha zëvendësshefi i misionit të OSBE-së Shkup, Jeffrey Goldstein.

Maqedonia për herë të parë organizoi edhe konferencën e rrjetit të njësive organizative për menaxhim të burimeve ku përfshihen rreth 1300 institucione.

“Qëllimi kryesor është që së bashku t’i trajtojmë problemet që ne i kemi si ministri në krijimin e politikave dhe ata problemet që i kanë ata si institucione në politikat tona kur vjen momenti që të zbatohet”,- tha kryetari i rrjetit për burime njerëzore, Jahi Jahija.

Sipas autoriteteve, po punohet intensivisht për një shërbim menaxherial të nivelit të lartë që do të rezultojë me depolitizim të administratës publike përmes rregullave, kritereve dhe kompetencave të qarta për drejtuesit e institucioneve.