Me qëndrim të publikuar në median evropiane “EU observer”, analisti hungarez Peter Kreko i numëron arsyet se pse Orbani i dha azil Nikolla Gruevskit dhe se si ai largohet nga Perëndimi.
Kreko nga instituti “Politikal kapital” në Budapest shkruan se, edhe përkundër deklaratave se vendimi për azilin e ish kryeministrit të Maqedonisë është bazuar vetëm tek ligji, megjithatë bëhet fjalë për një vendim personal të Orbanit. Sipas tij fakti se kaq shpejt i është siguruar statusi i azilantit është shenjë për “përzierje të qartë politike” në vendim.
Autori përmend deklaratën e Orbanit se “aleatët duhet t’i trajtojmë me respekt”, duke aluduar për Gruevskin, të cilin e konsideron bashkëpunëtor në betejën kundër Sorosit dhe emigrimit, dhe jo të NATO-s dhe të BE-së.
Duke u nisur nga ajo se hapi me Gruevskin rrezikon që t’i përkeqësojë marrëdhëniet e Budapestit me Uashingtonin dhe Brukselin, autori pyet se pse Orbani ka vendosur që të ndërmarrë një rrezik të tillë?
Arsyeja e parë, sipas Peter Krekos, është që Orbani tek ish kryeministri i Maqedonisë shikon një aleat ideologjik kundër Soros dhe politikës emigruese dhe me këtë i dërgon një mesazh “miqve të tij lindorë: jo për NATO-n, por për ata”.
Arsyeja e dytë është mesazh për partnerët perëndimorë nga Orbani se “nuk më intereson ajo që flisni”.
“Vendimi i Hungarisë është indikacion i qartë se Budapesti nuk ka nevojë që të harmonizohet me interesat e Uashingtonit dhe të Brukselit”, thotë Kreko.
Dhe si epilog, me këtë hap, Orbani i vardiset “lojtarëve të rëndësishëm të Lindjes” duke përkujtuar përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë hungareze për politikat e Gruevskit edhe përkundër asaj se partia e tij e kundërshton Marrëveshjen e Prespës, marrëveshje kjo e domosdoshme për hyrje në NATO.
Sipas Krekos, ky hap i shërben vetëm interesave të Rusisë.
Ai shton se lojaliteti i Budapestit sa vjen e më shumë rrotullohet drejt aleatëve të “rinj” të Lindjes.
“Orbani është i bindur se çfarëdo që të bëjë kjo do të jetë pa pasoja serioze nga BE-ja, NATO-ja dhe EPP dhe Uashingtoni. Deri tani kishte të drejtë. Nëse situata mbetet e tillë, ai do të vazhdojë të ecë drejt Lindjes, duke shfrytëzuar në të njëjtën kohë edhe sigurinë e institucioneve perëndimore si BE-ja dhe NATO”, konkludon analisti hungarez Peter Kreko.