Pendarovski: Në rrethana optimale Maqedonia anëtare në NATO në tremujorin e parë të vitit 2020

Maqedonia dhe Greqia e zgjidhën kontestin me emrin, Marrëveshja e Prespës u ratifikua nga Parlamenti i Maqedonisë, ndërsa javën e kaluar mbështetje morën ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin nga marrëveshja. Tani vëmendja është drejtuar në Athinë dhe hapat e atjeshëm për ratifikimin e Marrëveshjes, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas asaj që është planifikuar, së bashku me procesin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO në rrethana optimale, Maqedonia në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm mund të bëhet anëtare e 30-të e Aleancës Veriatlantike.

Marketing

Koordinatori kombëtar për NATO, Stevo Pendarovski në deklaratë për MEDIAL thotë se procesi i ratifikimit të Protokollit ka karakter rutine dhe zakonisht zgjat rreth një viti.

“Procesi i ratifikimit ka karakter rutine dhe zakonisht zgjatë rreth 12 muaj, pas çka, NATO dërgon ftesë deri te vendi kandidat që të përfshihet drejtë Aleancës. Në rrethana optimale, është logjike që të pritet se Maqedonia do të bëhet anëtare e plotfuqishme në NATO në tremujorin e parë të vitit 2020”, thekson Pendarovski.

Greqia paralajmëroi se do të jetë anëtarja e parë e Aleancës e cila do ta nënshkruajë Protokollin, pasi që Marrëveshja e Prespës të kalojë në Parlamentin e Maqedonisë, e pastaj pasi që të ratifikohet edhe në atë grek, por kryeministri Aleksis Cipras nesër do të përballet me votimin e besimit të Qeverisë së tij, gjë të cilën vetë e kërkoi, pasi partneri i tij i koalicionit, lideri i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, i cili është kundër marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës, e lëshoi koalicionin qeveritar.

“Momenti më i ri në Athinë është kërkesa për besim të qeverisë greke dhe pas kësaj është caktuar procedura për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Nëse Qeveria në Athinë e fiton besimin, diku në fillim të javës së ardhshme pritet ratifikimi të kalojë me 151 vota prej gjithsej 300 deputetëve në Parlamentin grek. Pastaj, Qeveria greke ka për obligim që ta informojë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg se më nuk ekzistojnë pengesa për hyrje të Maqedonisë në NATO- pas çka do të pasojë nënshkrimi i Protokollit për anëtarësim mes Maqedonisë dhe Aleancës”, sqaron Pendaravoski për M.I.A-n

I pyetur që të japë vlerësim për atë se a do të ketë sukses pala greke që ta përmbushë pjesën e saj të Marrëveshjes, duke pasur parasysh situatën e krijuar politike pas daljes së Kamenosit nga koalicioni me Ciprasin, Pendarovski thotë se nuk ka burime të informatave, ndërsa për atë se çka po ndodh në Athinë iu referohen informacioneve të cilat deri te ata arrijnë nga Qeveria greke.

“Edhe sipas atyre informacioneve pavarësisht daljes së Kamenosit nga Qeveria, Ciprasi, megjithatë do të arrijë që të mbledhë shumicën e të gjithë deputetëve në Parlament. Është e qartë se nëse ka shumicë për besim të Qeverisë, do të ketë shumicë edhe ratifikimin e marrëveshjes për emrin dhe kjo do të arrihej me votat e deputetëve e një partie politike e cila formalisht nuk është pjesë e Qeverisë, por, e përkrahë për këtë çështje dhe me votat e disa të ashtuquajturve deputetë të pavarur”, theksoi Pendaravoski.

Sqaron se protokolli inkuadrues është dokument i unifikuar dhe ka para se gjithash karakter juridiko-teknik. Atë e nënshkruajnë të gjitha vendet kandidate për anëtarësim para se të bëhen anëtare të plotfuqishme, Protokolli është i shkurtër, përmban vetëm disa dispozita, në të cilat është përshkruar procedura sipas së cilës vendi bëhet anëtar i plotfuqishëm.

“Pas nënshkrimit të Protokollit inkuadrues, Maqedonia do të bëhet pjesë e të gjitha trupave dhe organeve punuese të Aleancës, me të drejtë të marrë pjesë në diskutimet, por, pa të drejtë vote dhe statusi i këtillë do të zgjat derisa nuk përfundon procesi i ratifikimit në parlamentet e të gjitha 29 vendeve-anëtare”, thekson koordinatori nacional për NATO-n.

Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës është edhe kusht formal në ftesën që NATO ia dërgoi Maqedonisë në Samitin në Bruksel më 11 dhe 12 korrik. Zgjidhja e kontestit ishte gjëja e parë që është dashur të bëhet që të hapet rruga e vendit drejt Aleancës, ndërsa ky kusht bazohet në nenin 10 nga Marrëveshja e Uashingtonit, sipas së cilës vende të reja bëhen anëtare të Aleancës me vendim unanim të anëtareve tjera.

Secila nga 29-të vendet-anëtare duhet ta ratifikojë Protokollin konform procedurave nacionale që dallojnë nga shteti në shtet, ndërsa ky proces pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Pasi që vendet anëtare do ta ratifikojnë Protokollin dhe i njoftojnë SHBA-në si deponent të Marrëveshjes, sekretari i përgjithshëm i Aleancës do t’ia drejtojë Maqedonisë ftesën për hyrje.

Vendi pastaj edhe vetë duhet formalisht ta pranojë anëtarësimin në NATO me referendum ose me votim në parlament. Vendimi për inkuadrim pastaj dërgohet në Departamentin e Shtetit, me çka formalisht bëhet anëtare e Aleancës Atlantike të Veriut, e cila këtë vit shënon 70 vjetorin e themelimit.

Parlamenti i Maqedonisë në vitin 1993 miratoi rezolutë për anëtarësim në vitin 1995, Maqedonia u kyç drejt Programit Partneritet për paqe, Zyra e NATO-s u hap në vitin 1997, kandidat jemi bërë në vitin 1999.

Maqedonia më afër anëtarësimit ishte në vitin 2008 në samitin e NATO-s në Bukuresht. Aleanca atëherë konstatoi se vendi teknikisht është i gatshëm të hyjë, por hyrja ishte penguar për shkak të vetos greke për kontestin e pazgjidhur për emrin.