Departamenti i Shtetit e ka tërhequr stafin qeveritar nga Venezuela dhe u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që gjenden në këtë shtet që ta shqyrtojnë seriozisht largimin për shkak se komandanti i ushtrisë paralajmëroi për nisjen e një lufte civile.
Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino, e ka akuzuar opozitën e Venezuelës, Shtetet e Bashkuara dhe Brazilin për organizimin e një puçi kundër Maduros, që do të shkaktojë kaos dhe anarki në vend. “Ne jemi këtu që ta shmangim konfliktin mes venezuelasëve. Lufta civile mes vëllezërve nuk do t’i zgjidhë problemet e Venezuelës. Dialogu i zgjidhë problemet”, tha ai.
Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se të gjitha mundësitë janë mbi tavolinë kur bëhet fjalë për kundërpërgjigjen e SHBA-së në rast se Maduro vazhdon ta mbajë pushtetin me forcë. Këshilltari i tij për siguri, John Bolton, nuk e ka përjashtuar mundësinë e veprimeve ushtarake, por ka thënë se reagimi i menjëhershëm do të përqendrohet në marrjen e masave ekonomike.
“Ajo në të cilën po përqendrohemi sot është shkëputja e regjimit jolegjitim të Maduros nga burimet e të ardhurave të tyre. Ne mendojnë se këto të hyra duhet të shkojnë për presidentin e përkohshëm, Juan Guiado. Ne po shqyrtojmë shumë gjëra, por procesi është duke u zhvilluar”, ka thënë ai, shkruan “The Guardian”.