Papa Françesku ka arritur të dielën në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shënuar kështu vizitën e parë të një peshkopi në Gadishullin Arab, njëherësh vendlindjen e Islamit.
Ai ka arritur në Abu Dabi, në një vizitë 48-orëshe, në të cilën do të takohet me imamë si dhe do të mbajë një meshë të hapur me rreth 135,000 katolikë.
Ai është përshëndetur nga princi i kurorës së Abu Dabit, sheiku, Mohammed bin Zayed si dhe nga zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë.
Vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në kohën kur ky shtet është i përfshirë në fushatën ushtarake në Jemen, si dhe është pjesë e një konflikti diplomatik me Katarin.
Para se të nisej në këtë vend, kreu i Selisë së Shenjtë u ka bërë thirrje palëve të përfshira në konfliktin në Jemen, që të respektojnë marrëveshjen për armëpushim.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përshëndetur arritjen e Papës në Emirate, duke e konsideruar këtë vizitë si “moment historik për liritë fetare”.
“Mesha e parë e Shenjtë nga Papa në Gadishullin Arab promovon paqe dhe mirëkuptim në mes të dy besimeve të mëdha botërore”, ka thënë ai në një postim në Twitter.
Në Emirate jetojnë rreth 1 milion katolikë, shumica prej tyre emigrantë nga Filipinet dhe India. /rel