Kosova në mesin e vendeve me shkallë të lartë të vaksinimit

Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të lartë të vaksinimit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve janë të vaksinuar, gjë që dëshmon se imunizimi konsiderohet si pikë e ndritshme e shëndetësisë kosovare. Sidoqoftë, problem mbetet vaksinimi i fëmijëve të komunitetit rom, ashkali e egjiptas.

Marketing

Kështu tha për Radio Kosovën Besa Baftiu, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirësie Sociale.

“Përqindja që mbetet 3 deri në 5 për qind e përben ky komunitet. Prandaj në këtë drejtim duhet punuar më shumë, dukë filluar ndoshta edhe prej repartit ku edhe punoj unë si neonatologe, ku në shumë raste ne ballafaqohemi në punën e përditësime kur nënat hezitojnë t’ua japin vaksinën foshnjave, kur dihet se menjëherë mbas lindjes nuk e marrin morbillin por e marrin vaksinën BCZH apo vaksinën kundër tuberkulozit dhe kundër Hepatit B”, tha ajo.

Muhamed Arifi nga Organizata “Ballkan Sun Floëers”, tha se nga viti 2017, kur një person humbi jetën nga fruthi si pasojë e mos vaksinimit, kjo organizatë ka ndërmarrë aktivitete të shumta përfshirë edhe shkuarjen derë më derë për t’i vaksinuar fëmijët e komunitetit RAE në Fushë Kosovë.
“Kryetari i komunës me iniciativën tonë, ka nënshkruar një urdhëresë që secili person i cili merr ndihmë sociale duhet të marrë një vërtetim nga Qendra e Mjekësisë Familjare se fëmija është vaksinuar, pastaj ai mund të marrë ndihmë sociale. Kjo ka ndihmuar shumë në Komunën e Fushë Kosovës, sepse vaksinimi është rritur 93 %”, thotë ai.

Sipas Besa Baftiut, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, falë vaksinimit të rregullt viteve të fundit nuk është regjistruar asnjë rast me sëmundjen e fruthit. Mjekët thonë se vaksinimi është një nga metodat më të suksesshme në parandalimin e sëmundjeve infektive, e në këtë rast edhe të morbillit apo fruthit siç njihet në popull.