Janë dashur vetëm pak orë ndërmjet mbrëmjes së vonë të së mërkurës dhe paradites së të enjtes, që policia të zbulojë “misterin” e vdekjes së një të moshuari 69-vjeçar, i dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Rajonal të Vlorës nga i nipi i tij 17-vjeçar, me pretendimin se u gjet i gjakosur prej tij.
Vangjel Kapllani ka vrarë Vangjel Kapllanin për parà. Nipi pra me të njëjtin emër si gjyshi i tij është zbuluar nga ekspertiza mjekoligjore se është pikërisht ai vrasësi, teksa e ka qëlluar atë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.
Nipi 17-vjeçar përballet tashmë me akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ndërkohë, në kokën e viktimës është gjetur edhe predha e qitur nga arma e zjarrit, gjë që i ka shkaktuar vdekjen të moshuarit.
Policia, përveçse ka sekuestruar armën e krimit të tipit pistoletë, që autori i ngjarjes e kishte hedhur në një pusetë pranë banesës, me qëllim fshehjen e gjurmëve, ka ndaluar edhe 3 shtetas të tjerë, që dyshohen se i kanë shitur atij armën e krimit.
Në pranga ranë 17-vjeçari L.M.m 16-vjeçari F.Xh. dhe 28-vjeçari M.A., mbi të cilët rëndon vepra penale e “mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve”.
Në lagjen e tyre, fqinjët tregojnë se Vangjeli e kishte rritur nipin që në moshën trevjeçare dhe se nuk kishin parë konflikte mes tyre.