TRAGJEDIA E LLASKARCËS. Çfarë mësimesh nxori shteti?

Po bëhen 16 ditë nga tragjedia në afërsi të fshatit Llaskarcë të Shkupit në të cilën humbën jetën 15 persona, ndërsa 37 të tjerë ngelën të lënduar. Ende po hetohet se pse u rrokullisë autobusi dhe i njëjti “fluturoi” për 200 metra nga autostrada në një rrugë lokale. Të parët, të cilët u dolën në ndihmë viktimave të kësaj fatkeqësie fatale, ishin banorët lokalë ndërsa më pas në vendin e tragjedisë kanë ardhur ekipet e Ndihmës së Shpejtë. Pamjet dhe transmetimet ishin të tmerrshme, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

“Të gjithë kërkonin ndihmë, e ti nuk mund të arrish që në të njëjtën kohë t’u ndihmosh të gjithëve. E tmerrshme. Kishte njerëz edhe nën autobusin e përmbysur”, këto ishin dëshmitë e para të banorëve pas aksidentit. Nuk kanë munguar as thirrjet telefonike drejtuar edhe Ndihmës Shpejtë, por në thirrjen e parë nuk ka pasur sqarim të saktë mbi fatkeqësinë, as për numrin e madh të viktimave. Në ora 17 e 3 minuta kemi pranuar thirrjen e parë për përmbysjen e një kamioni, pasi që informacioni i parë ka qenë ky, që pas 30 sekondave të marrim një telefonatë tjetër se nuk bëhet fjalë për kamion, por për autobus, që ishte e tmerrshme, pasi që e dinim se atëherë do të ketë një numër të madh të të lënduarve”, thonë për gazetën KOHA nga Ndihma e Shpejtë në Shkup.

Të gjithë 8 autoambulancat, prej të cilave 5 janë në funksion të plotë, u nisën në drejtim të Llaskarcës, ndërsa Ndihma e Shpejtë – Shkup, ka ngelur pas asnjë autoambulancë, në rast nevoje për intervenim. Në vitin 2012 për nevojat e Ndihmës së Shpejt – Shkup, janë blerë 14 autoambulanca, ndërsa tani në funksion janë vetëm se 8 prej tyre, nga të cilat 5 me kapacitet të plotë.

 

NDIHMA E SHPEJTË, ME AUTOAMBULANCA TË NGADALTA!

Shërbimi i emergjencës mjekësore në Maqedoni, funksionon në kuadër të shtëpive të shëndetit, ndërkaq buxheti jepet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, varësisht ekipeve mjekësore. Për një ekip mjekësor, buxheti mujor arrin vlerën prej 177.000 denarë, i cili shfrytëzohet për paga bruto të ekipit mjekësor – mjekë, motër medicinale dhe vozitës të autoambulancave, si dhe për mirëmbajtje të objekteve shfrytëzuese, autoambulancave, mjeteve medicinale dhe derivate të naftës. Ndërsa, prej viti 2016, autoambulanca nuk ka në punktin në Çento, në Gjorçe Petrov, në Draçevë, në Petrovec, në Çuçer Sandevë të Shkupit, kurse mbulesa dhe dhënia e shërbimit shëndetësor sigurohet nga ana e punkteve tjera të Ndihmës së Shpejtë.

Problemi me autoambulancat e Ndihmës së Shpejtë në Maqedoni, përveç se në numrin e tyre varësisht numrit të banorëve në qytetet e caktuara, qëndron edhe në gatishmërinë e veturave. Sipas të dhënave, Maqedonia kryesisht ka vetura të vjetra dhe armotizuara që duhet të shërbejnë për rreth 2 milionë banorë. Veturat më të amortizuara i ka Kërçova, e kurse më të vjetrën e ka Probishtipi. Në Kërçovë shërbimi i Ndihmës së Shpejtë kryhet me dy autoambulanca që janë më të amortizuarat në Maqedoni. Njëra ka 1 milionë e 360 mijë kilometra dhe tjetra ka 800 mijë kilometra të kaluara. Pas saj vjen Kriva Pallanka me dy autoambulanca: me mbi 652 mijë kilometra dhe 620 mijë kilometra të kaluara, Dibra me një autoambulancë me 640 mijë kilometra, Velesi me një autoambulancë me mbi 452 mijë kilometra dhe Ohri me dy autoambulanca me mbi 450 mijë kilometra dhe me rreth 442 mijë kilometra. Në bazë të vitit të prodhimit, autoambulanca më e vjetër që ofron shërbime të Ndihmën e Shpejtë përdoret në Probishtip – e prodhuar në vitin 1986, pas saj në Dellçevë – e prodhuar në vitin 1987, në Krushevë dhe Strugës – të prodhuara në vitin 1989, në Negotinë dhe Ohër – të prodhuara në vitin 1993 dhe në Veles – e prodhuar në vitin 1994. Nga 156 vetura, 33 për qind e tyre janë donacion i huaj, rreth 40 për qind janë financim i mjeteve të buxhetit shtetëror, e kurse për 27 për qind Ministria e Shëndetësisë nuk ka informacion se nga kush janë financuar. Së fundmi është përmbyllur proceduar e tenderimit dhe Ndihma e Shpejtë e Maqedonisë së Veriut duhet që të furnizohet edhe me 12 autoambulanca të reja, nga të cilat 6 do të jenë për Shtëpinë e Shëndetit në Shkup me qëllim që të vihen në funksion edhe 6 punktet e Ndihmës së Shpejtë në Shkup të cilat nga viti 2016 nuk janë në funksion. Ndërkohë që priten edhe 3 autoambulanca si donacion nga Republika Çeke.

 

AUTOMJETET ZJARRFIKËSE TË VJETRA 27 VITE!

Numri i 25 ka qenë automjeti i shërbimit të zjarrfikësve i cili nga njësia e lagjes Gjorçe Petrov është nisur në drejtim të Llaskarcës më datën 13 shkurt. Automjeti është i vjetër tri dekada, pra që nga koha e socializmit. Nga ana tjetër gjithandej nëpër botë ekziston një numër telefoni për thirrjet urgjente, ndërsa në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka tre (192, 193, 194), të veçantë për policinë, ndihmën e shpejtë dhe shërbimin kundër zjarrit. Edhe shërbimi i Ndihmës së Shpejtë nuk ka një qendër të përbashkët ku pranohen thirrjet urgjente të Ndihmës së Shpejt, por çdo qytet ka qendrën e vet të thirrjeve urgjente në Ndihmën e Shpejtë.

Ndërkaq, tridhjetë njësitet territoriale të Zjarrfikësve në Republikën e Maqedonisë së Veriut posedojnë 220 automjete zjarrfikëse, vjetërsia mesatare e të cilave është 27 vite, tregon analiza e Qendrës për Komunikime Qytetar. Prej gjithsej 220 automjeteve 154 janë të prodhuara në shekullin e kaluar. Më të vjetrat janë nga viti 1966 të cilat i posedojnë Strumica nga marka “fap 13” dhe Vallandova nga marka “tam 5500”. Nga kjo Qendër bëjnë krahasim duke theksuar se ministritë dhe komunat kanë në dispozicion 2645 automjete, që nënkupton se në çdo të 12-in automjet vjen nga një automjet special zjarrfikës. Për dallim nga automjetet e udhëtimit të cilat kryesisht blihen nga paratë e buxhetit, pjesa më e madhe e automjeteve speciale zjarrfikëse janë fituar si donacione. “Te automjetet e udhëtimit ka situatë të kundërt, ndërsa 71 për qind janë blerë në mileniumin e ri. Përkundër 27 viteve të automjeteve zjarrfikëse, ato të udhëtimit janë të vjetra 12,5 vite”, theksojnë nga Qendra.

Automjetet në Kratovë janë më të vjetrat – me vjetërsi mesatare prej 39 viteve, përderisa veturat më të reja i ka Velesi – me vjetërsi mesatare prej 18 viteve. Krahas Kratovës, vjetërsi mesatare më të madhe se 30 vite kanë automjetet e njësiteve zjarrfikëse në: Manastir, Gjevgjeli, Kriva Pallankë, Krushevë, Ohër, Sveti Nikole, Strugë dhe Strumicë. Në analizën është theksuar se në bazë të numrit të banorëve, më shumë automjete ka njësiti territorial i Qytetit të Shkupit me 47 automjete, mesatarisht 26 vite. Vijon Manastiri, njësiti territorial i të cilit i mbulon edhe Novacin dhe Mogillën, me 13 automjete, me vjetërsi mesatare prej 30 viteve. Në grupin e njësiteve territoriale zjarrfikëse me më shumë 10 automjete bën pjesë edhe Strumica, e cila i mbulon edhe komunat Bosilovë, Vasilevë dhe Novo Sellë, me 12 automjete, të vjetra mesatarisht 30 vite. Më së paku, nga tri automjete kanë njësitet territoriale në Demir Hisar mesatarisht të vjetra 28 vite, Kavadar 25 vite, Kratovë 39 vite, Krushevë 38 vite dhe Makedonski Brod 21 vite.

“Për shkak të vjetërsisë së automjeteve, një pjesë e madhe e komunave nuk posedojnë aspak të dhëna për vlerën e këtyre automjeteve. Prej 220 automjeteve, të dhëna për vlerën ka vetëm për 77 automjete. Ato, kur janë blerë ose ishin fituar si donacion, kanë kushtuar 2.975.318 euro, gjegjësisht vlera mesatare e një automjeti ishte 38.640 euro”, theksohet në analizë. Baza e të dhënave të të gjitha automjeteve zjarrfikëse është përgatitur në bazë të të dhënave të siguruara nga 30-të njësitet territoriale zjarrfikëse, në bazë të kërkesës së dorëzuar për informacione me karakter publik.

Në bazë të Ligjit për zjarrfikës, njësite territoriale zjarrfikëse formojnë Qyteti i Shkupit dhe komunat: Manastir, Veles, Gjevgjeli, Gostivar, Koçan, Kumanovë, Ohër, Prilep, Strumicë, Tetovë, Shtip, Resnjë, Kavadar, Vallandovë, Dibër, Berovë, Vinicë, Dellçevë, Kriva Pallankë, Kratovë, Strugë, Kërçovë, Krushevë, Makedonski Brod, Radovish, Sveti Nikolla, Probishtipi, Demir Hisari dhe Negotina.

 

THIRRJET URGJENTE DUHET TA KENË NJË QENDËR TË PËRBASHKËT

“Duhet të punojmë që të formohet një qendër e përbashkët për thirrje urgjente, jo vetëm për qytetin e Shkupit por për gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të mund të gjitha ekipet që janë në terren jo vetëm nga qyteti i Shkupit por edhe jashtë tij të jenë në shërbim të qytetarëve”, thonë nga Qendra e Shëndetit Shkup, nën ombrellën e së cilës është Ndihma e Shpejtë. Sipas planit autoambulancat duhet të kontrollohen nga një qendër e vetme dhe me sistem GPRS ku do të detektohet vetura që është më afër vendit ku duhet të jepet ndihma e shpejt. “Një qendër e përbashkët, një numër i përbashkët telefoni jo vetëm që do të zvogëlonte harxhimet, por do të fitohej edhe një intervenim më i shpejt dhe më i mirë”, thonë nga Ndihma e Shpejtë.

PIKAT E ZEZA

Më shumë se dhjetë vite nuk ka të dhëna të sakta se sa pika të zeza ka në rrugët e Maqedonisë së Veriut dhe ku saktë ato ndodhen, pasi që me ndryshimet në Ligjin për siguri në komunikacion, termi “pikat e zeza” është fshirë dhe tani po mbahet evidencë për lokacionet e rrezikshme të komunikacionit. Në vitin 2018, në fatkeqësi komunikacioni kanë humbur jetën 129 persona, ndërsa 6.700 persona kanë qenë të lënduar. Ndërsa sipas të dhënave të vitit 2010, në shtet janë regjistruar 169 pika të zeza, por disa prej tyre tanimë janë larguar, duke marrë parasysh faktin se janë ndërtuar disa rrugë alternative, siç është autostrada e re nga Demir Kapia deri në Gjevgjeli, si dhe janë zgjeruar disa rrugë kritike, ndërkohë që së shpejti duhet të lëshohet në përdorim edhe autostrada Shkup – Shtip, ndërsa për disa vite do të funksionon edhe autostrada Kërçovë – Ohër. Megjithatë, kjo do të thotë se tërësisht janë eliminuar disa nga pikat problematike të rrugëve.

Sipas rekomandimeve të Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion, është primare që vozitësit të fokusohen në kushtet e rrugës dh eta respektojnë sinjalizimin e rrugëve, pasi që kur nuk ka tejkalime të shpejtësisë dhe vozitet në mënyrë të disiplinuar nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, nuk ka arsye që të ndodh edhe fatkeqësia në komunikacion.