Ministri Ademi dhe euroambasadori Zhbogar vizitojnë shkollën në Gurgurnicë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, sot ka vizituar objektin e ri të Shkollës Fillore “Hasan Tahsini” në fshatin Gurgurnicë të Komunës së Bërvenicës.

Marketing

Bashkë me Ademin për vizitë kanë qenë edhe euroambasadori Samuel Zhbogar, ministri i Financave, Dragan Tevdovski, zv.ministrja Shiret Elezi, përfaqësues të Bankës Botërore dhe kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.

Ademi ka uruar nxënësit e kësaj shkolle duke vlerësuar se tani e tutje mësimet do ti ndjekin në objekt sipas standardeve evropiane.

Gjithashtu, ministri Ademi ka deklaruar se së bashku me partnerët do të vazhdojnë të punojnë në drejtim të përmirësimit të kushteve për mësim, me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim.

Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar tha se me ndërtimin e shkollës së re përmirësohen kushtet për mësim për fëmijët në Gurgurnicë.

“Ky projekt ndoshta është i vogël, por me rëndësi të madhe për nxënësit e Gurgurnicës. Ata tani kanë shkollë ku çatia nuk pikon, muret nuk janë të ftohta gjatë kohës së dimrit, ndërsa tualetet nuk janë jashtë shkollës. Fëmijëve u nevojitet hapësirë adekuate ku do t’i kalojnë ditët e shkollës dhe të zhvillojnë potencialin e tyre dhe vetëbesimin”, ka thënë Zhbogar.