Sejdini: Ndeshja me Kosovën me shumë gjasa do të zhvillohet në Shkup

Muhamed Sejdini, i sapo zgjedhur në postin e të parit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë në një intervistë për Tv21 premtoi se do të organizojë takim me drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, me qëllim zgjidhjen e dyshimeve që ka ai mbi punën e federatës.

Marketing

Ai në mes tjerash tha se përmirësimi i infrastrukturës është qëllimi kryesor dhe premtoi që tribunat e stadiumit të Çairit dhe “Biljani Izvori” do të ndërtohen së shpejti. Në pyetjen se pse për postin e të parit të federatës nuk kishte asnjë kundër-kandidat, Sejdini tha se për këtë çështje duhet të pyetën ata që kanë dashur të kandidojnë dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Për ndeshjen kundër Kosovës, Sejdini tha se për vendin pritet të vendos UEFA, por gjasat janë të mëdha që ndeshja të luhet në Shkup. Sejdini tha se klubet duhet të angazhohen më shumë në luftën kundër gjuhës së urrejtjes.

“Gjithsesi ne çdo vit, para fillimit të kampionatit jemi duke marrë masa për zbutjen e kësaj. Të eliminohet gjuha e urrejtjes, por me këtë unë mendoj se më shumë duhet të punojnë edhe klubet, edhe ne si federatë por edhe institucionet tjera shtetërore që të heqim dhunën dhe gjuhën e urrejtjes. Unë jam gjithmonë për të hequr gjuhën e urrejtjes dhe ne të shohim vetëm futbollin, se futbolli është një për të gjithë”, deklaroi Kryetari i FFM-së, Muhamed Sejdini.