Gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila mori aktvendimin për ngjarjet e 27 prillit, nuk ka asnjë dyshim për fajin e personave ndaj të cilëve të premten e shqiptoi dënimin me burg prej 211 viteve. Në paraqitjen e saj në 1TV, rezervë të caktuar shprehu vetëm ndaj aktvendimit për lirimin e Igor Durllovskit, për të cilin tha se është aktvendimi më i vështirë i lirimit në karrierën e saj, por se Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për veprën penale me të cilën është ngarkuar. E pyetur nëse me amnistinë ka pësuar edhe drejtësia, Kacarska nuk e fshehu pakënaqësinë e saj nga vendimi politik.
Plotësisht pajtohem se drejtësia me sjelljen e këtij ligji është selektive dhe se nuk është e përmbushur tërësisht. Sipas meje, ky ligj u miratua shumë herët, sidomos që u miratua në fazën kur ne e përfundonim procedurën e dëshmive. Ndoshta duhej të pritet të merret vendim, e më pas të amnistohen disa prej tyre. Por, megjithatë është ligj që e miratoi Kuvendi i shtetit me shumicë prej dy të tretave dhe unë si gjykatëse obligohem ta respektoj ligjin e tillë- deklaroi Dobrilla Kacarska- gjykatëse në Gjykatën Themelore Shkupi 1, Shkup.
Për kritikat e Zijadin Selës për dënimin me 7 vjet burg të Abdylfeta Alimit, tha se janë të pakuptueshme, sepse ai kishte marrë gjysmën e dënimit të marrë nga kolegët e tij të tjerë. Si dhe shpjegoi se gjykata e mori parasysh faktin se Alimi ia shpëtoi jetën Selës, por gjithashtu edhe se ishte i akuzuar për veprime të tjera.
Të mos harrojmë, i njëjti i akuzuar është nëpunës policie, i cili shihet qartë në kamerat te dyert në hyrje me çelësa në dorë. Por, jo vetëm këtu. Ne e shohim atë edhe përpara sallës për shtyp, salla numër 3. Atje ku u rrahën deputetët, gazetarët dhe nëpunësit e policisë. I njëjti nuk ndërmori asgjë. Që do të thotë se ai bëri vepër penale. Dhe shpëtimi i Zijadin Selës është pas kryerjes së veprës penale- tha Dobrila Kacarska – gjykatëse në Gjykatën Themelore Shkup 1.
Kacarska gjithashtu iu përgjigj akuzave të Mickoskit se përmes saj, Qeveria urdhëron aktgjykime. I dërgoi atij një mesazh të mos shqetësohet dhe se tek ajo nuk porositen aktgjykime. Si argument, ajo e përdori faktin se pas 33 vitesh përvojë, ajo nuk ka arritur të përparonte më lart se gjykata themelore.
Alsat