Eurokomisari Han në një intervistë me korrespondenten e MIA-s nga Brukseli i sqaron dilemat rreth deklaratës së tij për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut me BE në muajin qershor. Ai thekson se është siguruar fuqishëm nga lideri i opozitës, Hristijan Mickoski se partia do të luajë rol konstruktiv dhe pjekur në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Zotëri Han, në takimin e fundit të komisionit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian (AFET) keni përmendur “fazë përgatitore” të negociatave për Maqedoninë e Veriut, që u interpretua tek negociatat e pritura, a mund ta sqaroni deklaratën tuaj?
Qëndrimi im çdoherë ka qenë i qartë: Komisioni Evropian planifikon t’i prezantojë raportet për vendet në fund të muajit maj. Në bazë të avancimit të rëndësishëm të realizuar, jam shumë sigurt se do të mund të imponojmë raport pozitiv dhe rekomandim të qartë për negociatat aderuese me Shkupin. Pas kësaj, do të jetë që të gjitha vendet anëtare të sjellin vendim. Kur partnerët tanë i realizojnë qartë kriteret e vendosura, BE-ja gjithashtu duhet t’i plotësojë angazhimet dhe të kalojë në fazën e ardhshme nga procesi aderues me Maqedoninë e Veriut. Të jepet kredi atje ku meritohet!
Në pyetje është kredibiliteti i BE-së. Ajo që fola në takimin në AFET është fazë normale përgatitore pasi Këshilli do të japë dritë të gjelbër. Kuptohet se negociatat aderuese nuk do të fillojnë gjatë natës. Pas vendimit të Këshillit të dyja palët duhet ta vendosin të ashtuquajturën korniza negociuese dhe të dakordojnë konferencë ndërqeveritare. Kjo është procedurë e zakonshme dhe e njëjtë është edhe për të gjitha vendet, këtë e dinë partnerët tanë dhe në asnjë rast nuk ka shtyrje ose “hapa dhe kërkesa shtesë” në këtë proces.
A ka rrezik që zgjerimi aspak të mos vendoset në agjendën e Këshillit në qershor dhe diskutimi të shtyhet për në vjeshtë?
Vendosja në agjendën e Këshillit është në duart e presidencës së BE-së, si çdoherë. Çdoherë kam kërkuar ta kemi këtë debat të rëndësishëm dhe shpresoj, vendim për Maqedoninë e Veriut në rastin e parë do me thënë Këshilli për punë të përgjithshme në qershor.
Opozita mendon se vendi nuk është i gatshëm për negociata, se ka shumë korrupsion, partizim dhe administratë, se gjyqësia nuk është e pavarur etj. Në cilën masë Komisioni Evropian i ndanë këto qëndrime të opozitës?
Nuk komentoj deklarata individuale. Raportet tona janë vlerësim objektiv dhe bazohen në faktet. Siç thash, Maqedonia e Veriut ka realizuar avancim të rëndësishëm dhe të dukshëm në shumë sfera. Marrëveshja e Prespës është një hap historik. Nëse ruhet dinamika reformuese, siç edhe pres, raporti për vendin do të jetë i qartë.
Ka shumë kritika se Maqedonia nuk është mjaft e gatshme në lidhje me ekipet negociatore për të filluar këtë proces. Cila është këshilla juaj për vendin?
Mendoj që çdo vend kandidat duhet të përgatisë ekipet negociatore në kohë dhe të pajiset me ekspertët më të mirë. Cilësia e këtyre ekipeve do të jetë vendimtare për përparimin e mirë të negociatave.
A ka shtete të tjera anëtare që kundërshtojnë fillimin e negociatave me Maqedoninë Veriore në qershor dhe çfarë bëni ju si një Komision Evropian për ta kapërcyer këtë?
BE përballet me një kohë sfidash me zgjedhjet e BE-së dhe Bregzitin, po përmend vetëm dy. Kjo kërkon vëmendje politike, e cila është normale. Prandaj është e rëndësishme të komunikohen interesat reale të BE-së në vazhdimin e procesit të zgjerimit, bazuar në parimin e meritës. Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një investim në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e fqinjësisë sonë të afërt: perspektiva evropiane është nxitja kryesore gjeopolitike për reformat dhe një garanci për harmonizimin gradual të rajonit me standardet dhe vlerat evropiane. Dështimi i mbështetjes së premtuar ndaj perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor nënkupton largimin nga rajoni të aktorëve të tjerë me agjenda të ndryshme politike dhe vlera të ndryshme, kjo nuk mund të jetë në interes të BE-së. Unë vazhdimisht komunikoj në të gjitha këto aspekte në takimet e mia me shtetet anëtare dhe me Parlamentin Evropian, siç kam bërë kohët e fundit në AFET. Por është e qartë se komunikimi në lidhje me përfitimet e integrimit në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë një kënd më të gjerë dhe të intensifikohet nga qeveritë dhe shoqëritë civile të shteteve anëtare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ta përmbyllim, ka zëra se opozita mund të bojkotojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, deri në çfarë mase mund të dëmtojë vendin?
Siç kam thënë shumë herë, demokracia nënkupton bashkëpunimin konstruktiv ndërpartiak dhe aftësinë për të bërë kompromis. Bojkoti nuk është shenjë e pjekurisë demokratike. Perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut duhet të shihet si një qëllim kombëtar dhe strategjik i të gjitha forcave politike, që kërkon një angazhim aktiv dhe konstruktiv nga të gjitha partitë politike dhe nga shoqëria civile. Në këtë pjesë, kam marrë garanci nga udhëheqësi i opozitës që ata do të luajnë një rol aktiv dhe konstruktiv në zgjedhjet presidenciale dhe nuk kam arsye të dyshoj për këtë.