Me iniciativë të Postës së Maqedonisë dhe në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve dhe Komunës së Çairit, Shkupi kujton një prej atyre bijve të saj falë të cilëve sot në këto troje frymohet shqip – veprimtarin Jashar Bej Shkupi në 100 vjetorin e vdekjes së tij. Posta e Maqedonisë lëshoi në përdorim zyrtar pullën e re postare me figurën e veprimtarit të shquar Jashar Beu, ndërsa Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve përjetëson kujtimin për veprat e tij me librin e autorit Dr. Skender Asani.
Faleminderit Postës së Maqedonisë të kryesuar nga drejtori gjeneral z. Ejup Rustemi dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të shqiptarëve në krye me Dr. Skender Asani që me përkushtim të sinqertë çdoherë po realizojnë detyrimin moral e atdhetar të përkujdesjes për kujtesën e çmuar historike përmes mekanizmave të shumtë veprues.
Kjo pullë postare që sot u promovua këtu dhe libri mbi jetën e Jashar beut dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dëshmon se jemi në rrugë të drejtë dhe padyshim se hedhin dritë në mendjen e brezit të ri për të mësuar rreth të bëmave revolucionare të Jashar bej Shkupit. Do ta ruajnë emrin e tij ashtu siç e ruan edhe shkolla fillore me po të njejtin emër këtu në Çair, kujtimin për të si kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Sanxhakun e atëhershëm të Shkupit, si finansues i arsimit shqip në Shkup, si njeri që nuk kurseu as pasurinë e tij për renovimin e monumenteve kulturoro – historike të Shkupit.