Nga Idaver Sherifi*

Marketing

Zgjedhjet e djeshme në Maqedoninë e Veriut përfunduan me një epërsi të ngushtë prej 4 mijë e 500 votash të kandidatit të koalicionit qeverisës LSDM-BDI, Stevo Pendarovski ndaj kandidates së VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska.

Ndërkohë, kandidati shqiptar Blerim Reka, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, u rëndit i treti me rreth 80 mijë vota ose 10% të votave totale.

Në rrethin e dytë të 5 majit, i cili do të jetë vendimtari, do të përballen Pendarovski dhe Siljanovska, ndërkohë duket që votat e shqiptarëve do të jenë në shënjestër të dy kandidatëve pasi ata do të përcaktojnë fituesin.

Por, kush është fitues dhe humbës i zgjedhjeve të djeshme?

Në bindjen time, humbësi kryesor i zgjedhjeve të djeshme është LSDM-ja e kryeministrit Zaev, i cili edhe me “votat” e BDI-së nuk arriti të bëj diferencë ndaj kandidates së VMRO-DPMNE ndërsa kandidati shqiptar Blerim Reka dhe partitë që e mbështetën, edhe nëse nuk i quajmë humbëse, është ë sigurtë që nuk janë fitues.

Vlen të përmendet fakti që në zgjedhjet presidenciale të mëparshme, tre kandidatë shqiptarë kanë marrë më shumë vota se Blerim Reka. Kandidati i PDSH-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 1999, Muharrem Nexhipi pati marrë 155 978 vota ndërsa në vitin 2004, Gëzim Ostreni i BDI-së mori 134.208 vota.

Gjithashtu, edhe Imer Selmani si kandidat i Demokracisë së Re në zgjedhjet Presidenciale të vitit 2009, mori 147.547 vota. Prandaj, shikuar nga ky kënd, përkrahja e shqiptarëve për kandidatin e dy partive opozitare ASH dhe BESA ka qenë i ulët dhe nuk mund të reklamohet si një fitore.

Megjithatë, pyetja e momentin është se si parashikohet të orientohen votat e shqiptarëve në rrethin e dytë, pasi qartësisht ato do të jenë përcaktueset e fituesit.

Synimi parësor i kandidates së VMRO-DPMNE janë votat e Blerim Rekës, gjë të cilën ajo e shprehi mbrëmë edhe publikisht.

Megjithatë, këto vota janë më shumë vota individuale se sa partiake, pasi dihet që jo të gjitha votat e Blerim Rekës janë vota te elektoratit të partive mbështetëse, ASH dhe BESA. Ka qenë edhe një numër i elektoratit të BDI që i kanë dhënë votën Blerim Rekës, ndërkohë që pjesa më e madhe e këtij elektorati nuk ka dalë të votojë.

Prandaj votat e fituara nga Blerim Reka, nuk janë vota besnike të kandidatit ose partive mbështetëse, që mund të orientohen nga po i njëjti tek një kandidat tjetër, aq më shumë tek kandidatja e VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, duket që BDI ka “luajtur” bukur në gjithë këtë histori. Nga rezultatet e publikuara nga KSHZ, vërehet që BDI ka dhënë mbështetje minimale për kandidatin e mbështetur nga vet ata. Nuk arriti të bindte elektoratin të dilte të votonte apo vendosi të tregonte veten në rrethin e dytë, është gjë për t’u parë në rrethin e dytë edhe pse përgjigjia dihet.

Euforia e kryeministrit Zaev pas suksesit në referendum dhe mbështetjes së fortë ndërkombëtare që vjen si rezultat i atij suksesi, duket se po e linte BDI-në në hije duke ia ulur edhe fuqinë negociuese përballë Zaevit.

Gjithashtu, edhe bindja e Zaevit se po bënte një gjë te bukur për Maqedoninë dhe kjo do të vlerësohej nga elektorati maqedonas në afatshkurtër, filloi ta bënte atë më të pavarur në vendimet e rëndësishme dhe po rrezikonte BDI-në të kthehej në një “patericë”politike.

Dhe rezultati i sotëm, më shumë se asnjëherë më parë e ka faktorizuar BDI-në ne raport me partnerin qeveritar, duke i rritur kësaj partie fuqinë negociuese dhe duke e rikthyer në lojë sërish, për t’i dhënë shansin që t’a rishikojë edhe njëherë marrëveshjen me LSDM-në dhe për të rindarë edhe njëherë “tortën” e pushtetit.

*Autori është pedagog në Universitetin Epoka në Tiranë dhe themelues i Albeu.com

Marketing