Rreth 500 mijë euro për 1782 vota

Nga viti 2018, kur për herë të parë me ndryshime në Kodin Zgjedhor u vendos që në zgjedhje të votojë edhe diaspora e Maqedonisë së Veriut, në Qendrat Konsullore – Diplomatike (QKD), deri në këto zgjedhje presidenciale, interesimi i mërgimtarëve për të votuar ka qenë shumë i vogël. Edhe përskaj këtyre përvojave, në 8 vitet e kaluara, nuk është propozuar asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor, me të cilin do të gjendet një mënyrë tjetër për të realizuar mërgimtarët të drejtën e tyre të votës, ndërsa nga ana tjetër – do të eliminohen shpenzimet e mëdha të shtetit për organizimin e zgjedhjeve për një numër simbolik të votave në diasporë. Kjo çështje përsëri është aktualizuar në prag të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale 2019, pasi kalkulimet tregojnë se mbi 30 milionë denarë (rreth 500 mijë euro) do t’i kushtojnë arkës së shtetit zgjedhjet që do të organizohen në 32 QKD, ndërsa për të votuar janë paraqitur vetëm se 1782 votues. Nga ana tjetër, që të organizohet e drejtat e tyre për të votuar, do të angazhohet një “ushtri” e tërë e të punësuarve në administratën shtetërore, apo rreth 256 persona. Për një Qendër Votimi në diasporë angazhohen tetë anëtarë për një Këshill Zgjedhor, për të cilët shteti siguron biletat e fluturimit, akomodimin nëpër hotele, mëditjet dhe shpenzimet tjera gjatë qëndrimit. Për shkak të këtyre matematikave, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), pas zgjedhjeve presidenciale do ti rekomandojë Ministrisë së Drejtësisë ndryshime të Kodit Zgjedhor. “Megjithëse janë paraqitur 1781 votues, shpenzimet me të vërtet janë të mëdha, diku mbi 30 milionë denarë. Pasi në Kodin Zgjedhor në mënyrë precize janë të numëruar përfaqësitë diplomatike ku duhet të votojnë votuesit tanë që gjenden në diasporë.

Marketing

Dhe pas këtyre zgjedhjeve, ndoshta duhet të mendohet për një model tjetër të votimit të diasporës. Nuk do të jemi ne që do të zbulojmë diçka të re, por tanimë në botë figuron dhe zbatohet votimi elektronik. Duhet të mendojmë për ndryshim të Kodit Zgjedhor. Ne si KSHZ do të rekomandojmë ndryshime, por siç është e ditur tanimë, propozues i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është Ministria e Drejtësisë, ose deputetët”, deklaroi për gazetën KOHA, Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ. Ajo sqaroi se në ato vendvotime ku ka numër të vogël të votuesve të paraqitur, nuk do ketë proces zgjedhor, por atyre nuk është mohuar e drejta e votës për arsye se janë transferuar në vendvotimet ku ka më shumë votues dhe që janë afër vendeve ku jetojnë ato. Por, as 10 qytetarë nuk kanë shprehur dëshirën që të votojnë në këto zgjedhje presidenciale në 15 QKD.

Në ambasadën në Pekin, Nju Delhi dhe Selanik janë paraqitur për të votuar vetëm nga një votues, dy në Kairo, Doha dhe Astana, tre në Moskë dhe Tiranë, gjashtë në Ankara, gjashtë në Athinë dhe në Madrid, dhe nga shtatë votues në Sofje, Podgoricë, Varshavë, që nënkupton se në këto qendra nuk do të zhvillohet votimi. Ndërsa numër më i madh i mërgimtarëve që janë paraqitur për të votuar janë paraqitur në Venecia 294, Lubjanë 215, në Paris dhe Otava 120. Në Bern, Berlin, Toronto, Melburn, Beograd janë paraqitur më pak se 120. Një numër pak më i vogël do të votojnë në Abu Dabi, Bon, Bruksel, Bukuresht, Budapest, Uashington, Vjenë, Detroit, Zagreb, Stamboll, Kambera, Kopenhagë, Londër, Minhen, Nju Jork, Oslo, Pragë, Prishtinë, Romë, Sarajevë, Stokholmë, Hagë dhe Çikago. Kronologjia e të dhënave tregon rënie të dukshme të daljes së diasporës në zgjedhje. As në Referendumin për çështjen e emrit nuk është rritur dalja, kanë votuar 2700 qytetarë në 33 QDK. Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit 2016, kanë votuar vetëm se 5700 mërgimtarë. Duke pasur parasysh se të dhënat zyrtare flasin se në 10 vitet e fundit nga vendi janë larguar 400.000 deri në 600.000 qytetarë, këto numra të daljes në votime janë simbolik.(koha.mk)