Në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”, komisioneri për politikën europiane të fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit. Johannes Hahn ka deklaruar, se një shtyrje e vendimit pêr hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut, që ka plotësuar kushtet, mund të destabilizojë vendin dhe të gjithë rajonin e Ballkanit.
Në intervistën për gaztën gjermane, Komisioneri Hahn ka konfirmuar, se Komisioni Europian do të bëjë rekomandime pozitive për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të majit e më pas shtetet anëtare do marrin një vendim, duke vlerësuar edhe situatën aktuale politike. Hahn vlerëson, se marrëveshja historike e Prespës dhe traktati i miqësisë me Bullgarinë janë sinjale novatore për të gjithë rajonin, që japin shpresë, se edhe zgjidhja e konflikteve të gjata është e mundur. Sipas tij, Maqedonia Veriore ka bërë gjithashtu përparim të mirë në reformat e brendshme.
Për Hahn, është e qartë se vendi meriton dritën e gjelbër në qershor të këtij viti. Ndërkohë, për Shqipërinë Hahn konsideron, se reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore është shembullore, por njeh se. përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet të rriten. Por Hahn jep sinjalin e alarmit lidhur me një shtyrje apo vendim negativ. Hahn thotë se mosnjohja e rezultateve të arritura nga Maqedonia e Veriut, dhe Shqipëria do të kishte pasoja dramatike për të dyja vendet dhe kjo do të shkaktonte një efekt domino negativ në rajon.
Në vlerësimin e tij, kjo do të ishte veçanërisht e rrezikshme për Maqedoninë e Veriut, duke qenë se vendi ka marrë rekomandime pozitive prej një dekade qê s’janë konkretizuar për shkak të mosmarrëveshjes së mëparëshme për emrin. Nga ana tjetër, Hahn shpjegon, se një JO për Maqedoninë do të shkurajonte Serbinë dhe Kosovën për të kryer reforma të vështira ose për të zgjidhur konfliktet midis tyre.