Në Kodrën e Diellit është rritur numrit i turistëve të huaj

Rreth 8000 turistë kanë qëndruar në tre hoteleve që janë funksionale në Kodrën e Diellit, gjatë sezonës së kaluar 2018/2019. Dy janë hotelet që i menaxhon ELEM TURS në Kodrën e Diellit, Hotel “Kodra e Diellit” dhe Hotel “Sllavija”.

Marketing

Sipas të dhënave nga ELEM TURS, në Hotel “Sllavija” gjatë tre muajve të këtij viti kanë qëndruar gjithsej 2611 turistë, ndërkaq në Hotel “Kodra e Diellit” kanë qëndruar gjithsej 2181 turistë.

Nga ana tjetër, Hotel “SCARDUS” është hotel privat i cili gjatë sezonës 2018/2019 ka mirëpritur mbi 3000 turistë.

“Numri i turistëve këtë vit në Kodrën e Diellit në krahasim me vitet e kaluara ka hasur ndryshim, domethënë ka pasur një trend të rritjes së numrit të turistëve të huaj dhe zvogëlim në numrin e turistëve vendas”, thonë nga Hotel “SCARDUS”.

Nga ELEM TURS njoftojnë se përsa i përket punës me humbje në vitet e kaluara, e njejta vazhdon të evidentojë vështirësi në punë dhe funksionon në kushte të rënda ekonomike.

Ndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njejta me të cilat përballet Kodra e Diellit, megjithatë asgjë deri sot nuk është ndërmarrë. Një ndër to është dhe teleferiku me gjashtë ulëse, i cili vazhdimisht është premtuar, por ende nuk është përfunduar. “Kodra e Diellit”, dikur ishte qendër skijimi e njohur në rajon dhe më gjërë.

“Problemi kryesor që kërkon zgjidhje të menjëherëshme, efikase dhe afatgjate është infrastruktura rrugore, parkingjet si dhe prodhimi i borës artificiale që do të na mundësonte një sezonë turistike më të hershme dhe të gjatë”, thonë nga Hotel “SCARDUS”.