Regjistrohen raste të reja të fruthit

Vazhdon paraqitja e rasteve të reja të personave të prekur nga fruthi. Gjatë festës së Pashkëve ortodokse janë paraqitur tetë raste të reja. Ndërsa në Klinikën infektive në Shkup janë të shtrirë 35 të prekur, katër prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë.

Marketing

Ndërsa që nga shpallja e epidemisë e deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 1200 raste me fruth, pjesa më e madhe e të cilëve të pa vaksinuar.
Për shkak të festës së Pashkëve, procesi i vaksinimit të nxënësve është ndërprerë dhe pritet të normalizohet të enjten pas festës së një majit.

Vetëm në territorin e kryeqendrës duhet të vaksinohen dhe rivaksinohen rreth 480 nxënës, por autoritetet shëndetësore kanë thënë se vaksinimi nëpër shkolla nuk është i kënaqshëm, sepse shumë prindër vazhdojnë të refuzojnë që fëmijët e tyre të vaksinohen. Epidemiologët vazhdojnë të apelojnë për vaksinim, duke siguruar se vaksinat nuk sjellin pasoja të padëshirueshme.

Edhe hulumtimet e fundit të realizuara nga Eurobarometri zbulojnë trende brengosëse për popullatën europiane sa i përket shkallës së ulët të imunizimit.

Në bazë të hulumtimeve të njëjta, edhe Maqedonia e Veriut po i ndjek trendet e ngjashme me ato europiane, edhe përkundër faktit se ballafaqohet me epideminë e fruthit.

Sipas Eurobarometrit, shumica e popullatës europiane konsideron se vaksinimi i rregullt është opsioni i vetëm, por është akoma i lartë numri i atyre të cilët mendojnë se vaksinat kanë efekt negative, që në përqindje rreth 48% e qytetarëve europianë e mendojnë këtë.

Qytetarët europianë të moshës 15 deri në 24 vjeç, po ashtu sipas studimeve të bëra, janë të mendimit se morbilet dhe sëmundja e meningitit nuk janë vdekjeprurëse. Komisioni Europian paralajmëron se me zvogëlimin e shkallës së vaksinimit ekziston rrezik potencial për paraqitjen e sëmundjeve që janë me rrezikshmëri të lartë për jetën e njeriut, “Polio”.

Sipas studimit të Eurobarometrit, më të keqinformuar për vaksinat janë qytetarët bullgarë, letonezë dhe qipriotët.